Vaksinimi do të zgjasë gjithë vitin, Bino: Të vaksinuarit të ruajnë vigjilencën për më shumë se 6 javë që nga marrja e dozës
Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino ka konfirmuar se vendi do ta vazhdojë përgjatë gjithë vitit procesin e vaksinimit. Apeli i saj është që të vaksinuarit të kenë vigjilencë maksimale, kjo deri në krijimin e antitrupave.
”Është një proces shumë i rëndësishëm si për të gjithë vendin. Edhe qarku i Shkodrës do të shërbejë për gjithë veriun e Shqipërisë për bluzat e bardha. Është një proces që do të vazhdojë.
Do të vazhdojë me shtëpitë e të moshuarve, me personel tjetër shëndetësor, pastaj me personat mbi 90-vjeç, me ata që janë me sëmundje bashkëshoqëruese, më pas me gjithë popullatën. Pra është një proces që do të zgjasë gjithë vitin.
Kemi pasur një rritje të shifrave, por Shkodra nuk ka pasur rritje. Kjo tregon që në Shkodër po bëhet një punë shumë e mirë. Vaksinimi është një element i rëndësishëm, por derisa të kalojnë 5-6 javë nga dita e parë e vaksinimit personat duhet të ruhen njësoj, pra vaksinimi nuk duhet të na ulë vigjilencën”, tha ndër të tjera Bino.