Vaksinimi falas kundër gripit, Manastirliu: 138 mijë doza në gjithë Shqipërinë
Në të gjithë qendrat shëndetësore të vendit ka nisur vaksinimi kundër gripit falas për grupet e rrezikuara. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale këtë vit ka siguruar 138 mijë vaksina kundër gripit, të cilat kryhen pranë çdo qendre shëndetësore. Kryeministri Edi Rama ftoi sot qytetarët të shkojnë pranë qendrave të tyre shëndetësore për të bërë vaksinën kundër gripit.
”Mirëmëngjes dhe dhe me ftesën për të shkuar pranë qendrës suaj shëndetësore për të marrë vaksinën kundër gripit, të cilën grupet më të rrezikuara si të moshuarit, fëmijët (2-5 vjet) dhe të sëmurët kronikë do ta kenë falas, ju uroj një javë të mbarë”. Një e moshuar thotë se vaksina e gripit sidomos për moshën tonë është shumë e rëndësishme. Duhet patjetër të mos neglizhojmë. Ndërsa një tjetër thekson se këto vaksina ne i përsërisim çdo vit, nën kujdesin e mjekes tonë familjare dhe kemi ngelur gjithmonë të kënaqur.
Një tjetër i moshuar shprehet se më njoftuan në telefon me thanë hajdeni të bëni vaksinë, pra ka interes për shëndetin e popullit. Një mjek thotë se nëse vitet e tjera kanë ardhur me vonesë këtë vit ka pasur kërkesë jashtëzakonisht të madhe edhe nga pacientët vetë të cilët janë ndërgjegjësuar , janë programuar që të vijnë të bëjnë vaksinën e gripit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, thekson se janë 138 mijë vaksina që po shpërndahen në të gjitha qendrat shëndetësore në të gjithë Shqipërinë për të realizuar vaksinimin e grupeve të rriskuara. Tek grupet e rriskuara këtë vit janë edhe fëmijët e moshës 2-5 vjeç, përveç grupeve të tjera që janë të moshuarit të cilët kanë sëmundje kronike apo personeli shëndetësor. Nga ana tjetër janë 50 frigoriferë të rinj të standardeve më të larta, janë shpërndarë në 50 qendra shëndetësore, aty ku ishte e nevojshme rifreskimi i zinxhirit ftohës.
Vaksinat kundër gripit sezonal, të cilat do të përdoren sivjet, janë të parakualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Vaksinimi do të kryhet falas në çdo qendër shëndetësore dhe sipas specialistëve, është koha më e mirë për të bërë vaksinën tashmë që ende nuk ka qarkullim të virusit të gripit në vendin tonë.