Vaksinimi masiv përmes fotove, grumbullime dhe të moshuar që presin në këmbë
Mëngjesin e kësaj të diele në Tiranë nisi edhe vaksinimi masiv kundër koronavirusit. Dy çadra të mëdha janë ngritur në sheshin kryesor të kryeqytetit, kjo për të vaksinuar të moshuarit e njoftuar më herët nga mjekët e familjes. Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtes Sociale, bëri me dije se planifikon të vaksinojë mbi 10 mijë persona në ditë kundër Covid-19. Siç shihet edhe në fotot e mëposhtme, ka grumbullime dhe të moshuarit po presim radhën në këmbë për të marrë dozën e parë të vaksinës.
Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një çadër të madhe në qendër të kryeqytetit për të mundësuar vaksinimin e të moshuarve me vaksinën ndaj Covid-19 që ka shkaktuar mijëra viktima në mbarë botën. Të moshuarit mbi 75 vjeç, sot morën dozën marrin dozën e vaksinës kineze të Sinovac. Procesi i vaksinimit do të vijojë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, të cilat po ashtu janë furnizuar gjatë ditëve të fundit me këtë vaksinë.
Kreu i qeverisë shprehu ambicien për të vaksinuar mbi 500 mijë shqiptarë deri në mes të muajit maj. Ai u shpreh se nisja e këtij procesi është kënaqësia më e madhe që ka marrë nga momenti që ka hyrë në politikë.
”Brenda majit do të kemi 500 mijë shqiptarë të vaksinuar. Vijojmë punën për të siguruar sasi të konsiderueshme vaksine. Besoj se ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar. Mbetemi të bindur se deri në pranverën e ardhshme të vaksinojmë të gjithë popullatën, por shpresojmë ta bëjmë dhe më shpejt. Vaksinimi do të vijojë “non stop” dhe njerëzit janë të lirë të zgjedhin të vaksinohen apo jo. Çlirimi i njerëzve nga ky stres është kënaqësia më e madhe për mua që kur kam hyrë në politikë”, tha Rama. Përsa i përket turizmit, kryeministri tha se turistëve që do të vijnë në Shqipëri nuk do t’iu kërkohet të kenë kryer vaksinën.