Vaksinohen të rinjtë: Mundësi mjaft e mirë për të udhëtuar të sigurt këtë sezon turistik
Sot dhe nesër janë ditët e hapura të vaksinimit masiv anti-covid, për të gjithë qytetarët mbi 18-vjeç në të gjithë vendin. Procesi po vijon në sheshin “Skënderbej” dhe stadiumin “Air Albania”, aty ku të rinjtë shprehen mjaft të kënaqur dhe e shohin si një mundësi të mirë për të udhëtuar në këtë sezon turistik.
”E shfrytëzova sepse më duhet të udhëtoj së shpejti, sepse rikthehet jeta normale, do hapen kroçerat dhe do të më duhet të punoj prapë. Mundësia ishte që ta bëja vaksinën edhe atje por do të më duhej kohë më e gjatë karantine dhe tani që mu dha mundësia për të bërë vaksinën këtu e bëra. Ishte një mundësi e mirë për tu shfrytëzuar. Ishte e nevojshme, duhej një mundësi si kjo”, tha një i ri për ATSH-në.
Kurse një tjetër, tha se dozën e parë në Amerikë, tani dozën e dytë po e bën në Shqipëri. ”Jemi të kënaqur, pritja është e mirë dhe shërbimi i kulturuar. Nuk na është dashur të presim dhe i bëj thirrje të vaksinohen pa përjashtim të gjithë njerëzit. Fare s’kam pasur shqetësim veçse më ka dhembur pak krahu dhe shpresoj që edhe këtu të kaloj ashtu. Hajdeni të gjithë të vaksinoheni sepse është në të mirë të shëndetit tuaj”.
Përsa i përket ecurisë së këtij procesi, mjekja Marsida Velo thotë se pasur goxha fluks. ‘‘Vaksinimi do zgjas deri në orën 20:00, por që do të vazhdojë edhe më vonë nëse do të ketë njerëz të interesuar. Kjo është në të mirë të vaksinimit të popullatës dhe krijimit të imunitetit të tufës. Ka pasur goxha fluks që në mëngjes nga të gjitha grupmoshat. Sot po vaksinojmë me Sinovac. Janë të mirëpritur kushdo që vjen për tu vaksinuar, ne jemi shumë të gatshëm në vaksinimin e çdo personi. E rëndësishme është të kryhet procesi”.