Valëviti flamurin shqiptar në Mali të Zi, dëbohet 64-vjeçari
64-vjeçari Irfan Domnori është dënuar me 300 euro gjobë si dhe është dëbuar për një muaj nga autoritetet e Malit të Zi për shkak se ka valëvitur flamurin shqiptar në Ditën simbolike të Gështenjës në Krajë gjatë një festimi tradicional ku morën pjesë një numër i madh qytetarësh nga Mali i Zi, por edhe nga Shkodra.
Teksa e konsideroi ngjarjen tepër të rëndë, Domnori kërkoi reagimin e shtetit shqiptar pasi sipas tij ai merr pjesë vazhdimisht me fustanellë kombëtare dhe flamur në të gjitha shtetet fqinje dhe askush nuk e ka penalizuar.
“Në Krajë do të mbahej festa e gështenjave. Fillimisht isha me biçikletë, me flamur e me kostum sportiv. Kur filloi kënga “Xhamadani vija-vija” unë vesha këtë kostum me fustanellë. Dola pastaj në tribunë duke bërë foto dhe video me njerëzit. Ishin shqiptarë që flisnin shqip.Kur u nisa të vij për Shkodër një patrullë policie më mori dokumentet dhe më tha që kisha bërë shkelje. Pasi erdhi një patrullë policie dhe më morëm me vete. Hipa me ta dhe shkuam në Policinë e Tivarit. Shkova në një zyrë dhe më bëri disa letra. Më tha që do shkoj në Gjykatë se do të dënohem pasi kam ngritur flamurin shqiptar.Unë prej vitesh marr pjesë me fustanellë kombëtare dhe flamur në të gjitha shtetet fqinje dhe askush nuk më ka penalizuar. Shteti shqiptar duhet të reagojë patjetër për këtë rast. Është tepër e rëndë. Jam i zhgënjyer nga mosreagimi i shtetit shqiptar për këtë incident. S’kam pse të dënohem. Kjo është veshja jonë e mrekullueshme që bota nuk e ka. Nuk ka pse të penalizohem për t’u veshur kështu. Me 27 nëntor jam i ftuar në Ulqin.”,-është shprehur ai.
Ndërkaq lidhur me ngjarjen nuk ka ende asnjë reagim nga institucionet e shtetit shqiptar. Irfan Domnori u bë i njohur disa vite më parë pasi pas një aksidenti mjekët i thanë se do ta kalonte pjesën tjetër të jetës në një karrige me rrota. Ai jo vetëm që u ngrit në këmbë, por sot është një sportist profesionist që merr pjesë rregullisht në garat e vrapimit me uniformën e tij tradicionale, veshje kombëtare, plis dhe flamurin kuqezi.