Vangjush Dako si “kryeministër” në Kinë

Kryebashkiaku më i rëndësishëm i Shqipërisë, pas atij të Tiranës, Vangush Dako ndodhet në Kinë. Ai po flet me palën kineze për transportet dhe rrugët detare. Zyrtarë nga Kina dhe Shqipëria po diskutojnë vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë detare të transportit të mallrave midis portit të Shantou-t dhe atij të Durrësit.

Lajmin e bëri të ditur kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako i cili po viziton Kinën.

“Fluksi i tregtisë ndërmjet dy qyteteve tona nuk është i lartë dhe sot ai kryhet nëpërmjet porteve tranzite dhe në Europë ndërmjet portit të Pireut. Mendojmë që fluksi duhet të jetë i drejtpërdrejt mes Shantou-t dhe Durrësit, pa ndërmjetësinë e porteve të tjera,” tha Dako, duke folur për CRI Shqip.

Ai gjithashtu vlerësoi nismën e Kinës “Një brez, një rrugë”.

Kryebashkiaku i Durrësit tha se “terminali i Shantou-t dhe ai i Durrësit takohen dhe mendoj se ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të rritur infrastrukturën dhe kapacitetet e dy porteve tona.”

Dako kujtoi se qeveria shqiptare ka hapur garën për ndërtimin e zonave industriale ku janë të ftuar të marrin pjesë të investitorë nga e gjithë bota, përfshirë dhe Kinën.

SHKARKO APP