Varhelyi në Bypass-in e Vlorës: Shqipëria gati për të nisur negociatat. Rama: Po presim dritën jeshile
Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi këtë pasdite ka vizituar bashkë me kryeministrin Edi Rama, Bypass-in e Vlorës. Ndërsa po ecnin mes për mes rrugës që u inaugurua më 7 korrik, Rama i shpjegon Varhelyin se më parë nuk kalonte këmba e njeriut sepse ishte vetëm mal. Në fjalën e tij Varhelyi tha se qeveria po ndërton Shqipërinë për brezat e ardhshëm, kurse Rama theksoi se vendi po pret me padurim dritën jeshile për çeljen e negociatave të anëtarësimit.
Po ashtu Varhelyi tha se Shqipëria është gati për të nisur negociatat. ”Shqipëria është gati për të nisur negociatat dhe nuk ka pikëpyetje që Shqipëria ka bërë çdo gjë që ishte e nevojshme. Unë jam shpresëplotë që java e ardhshme do të jetë ajo që kemi kaq kohë që presim”.
Komisioneri shtoi edhe se nuk ka ekonomi dhe nuk ka tregti pa ndërlidhje, pa rrugë. ”Ndërlidhja është një nga çështjet më të rëndësishme që ka dalë nga plani jonë ekonomik. Kjo është pjesë e Korridorit 8 dhe jam krenar për BERZH dhe BE, që e bënë këtë gjë të mundur”.
Rama tha se Shqipëria nuk ka se çfarë të bëjë më shumë, veçse të presë dritën jeshile për këtë proces një orë e më parë. “Unë nuk dua të zgjatem me këtë pikë. Gjërat i kemi thënë, aktualisht parlamenti i RMV është mbledhur me gjasë për të miratuar në fund të një debati tejet të politizuar dhe padrejtësisht atë që quhet propozimi i fundit francez, ndërkohë që sa i takon Shqipërisë nuk ka ç’të bëjë më shumë sesa të presë dhe të shohim dritën jeshile të ndezur një orë e më parë. Do të përsërisim të njëjtën gjë që pavarësisht aspektit formal të procesit ne do të vazhdojmë njësoj sikur negociatat duhet të ishin hapur me reformat investimet e garantuara”.
Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku u shpreh se është në bisedime për Bypass-in e Tiranës i cili do të lidhë veriun, jugun dhe qendrën e Shqipërisë.