Varrezat e Durrësit me koncesion
Këshilli Bashkiak i Durrësit, ka vendosur t’i hapë rrugë dhënies me koncesion të shërbimit të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave të qytetit. Vendimi i miratuar në mars të vitit 2019, ka nisur që të zbatohet nga Bashkia e Durrësit, e cila do të hapë një garë për koncesionin.
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako u shpreh se vendimi ishte marrë pas ankesave të shumta të qytetarëve lidhur me problematikat që hasnin gjatë shërbimit të varrimit. Sipas saj, vendimi konsiston në mirëmbajtjen dhe ruajtjen e varrezave dhe investime për rrugën dhe objekte të tjera brenda varrezave publike.
”Kemi gjykuar se mund të jetë një zgjidhje shumë e mirë që po i njëjti shërbim kryhet nga operator të jashtëm të bashkisë. Ajo që dua të theksoj është që pagesa që kanë për të bërë qytetarët e Durrësit të jetë po e njëjta pas viteve 1991 që ndërmarrjet kanë marrë një rol publik. Ky vendim i këshillit konsiston në mirëmbajtjen dhe ruajtjen e varrezave. Ruajtjen nga zjarri. Ruajtjen fizike që mos të ndodhin vandalizma dhe vjedhje. Si dhe do të kryhet procesi i hapjes së varreve, vendosjes së hermetike. Këto procese do bëhen nga subjekti që do të lidhë kontratën me bashkinë e Durrësit. Investimi 20 milionësh që ne do të bëjmë në varreza është shtrimi komplet i rrugës. Duam të bëjmë një strehëz për njerëzit që bëjnë ceremoni e fundit me familjarët e tyre dhe nuk do të ketë asnjë lidhje me mirëmbajtjen e varrezave ky investim”,-tha Sako për ”Report Tv”.