Vasili: Çdo vonesë në miratimin e Kodit Zgjedhor është sabotim i zgjedhjeve të ardhshme
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili kërkon që Kodi i ri Zgjedhor të miratohet nga Parlamenti brenda dy javëve të para të muajit korrik.
Çdo vonesë, sipas tij, është sabotim nga maxhoranca i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, nismë e marrë nga opozita parlamentare, Vasili tha se opozita e bashkuar, ka arritur një dakordësi me PS, së cilës duhet t’i qëndrojnë. Aq më tepër se mbetet dhe një nga 15 kushtet e BE për negociatat.
Në marrëveshjen finale të nënshkruar në Ambasadën e SHBA të trija partitë: PS, PD dhe LSI kanë rënë dakord që pakti politik të votohet në Kuvend pa ndryshime.
Në lidhje me çështjet e ndryshimeve kushtetuese, nismë e ndërmarrë kjo nga opozita parlamentare, për Vasilin nuk kanë asnjë lloj rëndësie, pasi janë diskutime mes të njëjtës maxhorancë. Ai thotë se PS ka një marrëveshje me opozitën e bashkuar, së cilës duhet t’i qëndrojnë.
Edi Rama e tha këtë të enjte në parlament se do t’i qëndrojë marrëveshjes, por si me dinakëri nxori opozitën parlamentare sikur po kundërshton, ndërkohë që po kjo opozitë të enjte dha 108 vota bashkë me ato të PS-së për kryetarin e KLSH-së.
Nëse nuk kap 84 vota Kodi Zgjedhor, është vetëm mosdashje e Edi Ramës.