Vasili i nxjerr dokumentet Ramës: Biznesi i qeverisë me Arbitrazhet, si bashkë-grabitje e parave të shqiptarëve!
Lëvizja Socialiste për Integrim hedh poshtë alibinë e Edi Ramës që qeveria që ai drejton nuk ka humbur asnjë çështje në Arbitrazh.
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili teksa ka publikuar dhe dokumente nga rastet e humbur, shprehet përmes rrjeteve sociale, se kryeministri jeton dhe gjallon vetëm për të gënjyer.
Vasili bën me dije se që në vitin 2017, Edi Rama është i informuar, me shkrim nga Ministri i Drejtësisë, se dhjetëra milionë euro ishin humbur dhe rrezikonim humbjen e 2 miliardë eurove të tjera, sipas informacionit të përgatitur nga vetë Avokatura e Shtetit.
Kjo pasi siç thotë nënkryetari i LSI-së, se kjo është një skemë e qeverisë, pasi i interesonte ky “Biznes i ri i Arbitrazhit”, që firmat të padisnin shtetin në arbitrazh dhe pastaj qeveri – biznes të ndanin me njëri-tjetrin paratë e taksave të shqiptarëve.
“Biznesi i qeverisë me Arbitrazhet, si bashkëgrabitje e parave të shqiptarëve! Kryeministri jeton dhe gjallon vetëm për të gënjyer. Sot Kryeministri tha se: “Kemi fituar procese në Arbitrazh, por nuk kemi humbur asnjë proces deri në këto momente”, tha Edi Rama. Por e vërteta qëndron krejt ndryshe. Që në 2017-n, Edi Rama është i informuar, me shkrim nga Ministri i Drejtësisë, se dhjetëra milionë euro ishin humbur dhe rrezikonim humbjen e 2 miliardë eurove të tjera, sipas informacionit të përgatitur nga vetë Avokatura e Shtetit. Por Edi Rama nuk lëvizi as gishtin, nuk bëri asnjë veprim, nuk organizoi qoftë edhe një mbledhje të vetme, nuk firmosi asnjë urdhër të vetëm për ndalimin e kësaj batërdie me prishjen e kontratave të cilat shkonin të gjitha në Arbitrazh. Është shumë e qartë tashmë se Qeverisë i interesonte ky “Biznes i ri i Arbitrazhit”, që firmat të padisnin shtetin në arbitrazh dhe pastaj qeveri – biznes të ndanin me njëri-tjetrin paratë e taksave të shqiptarëve”, u shpreh nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.