Vasjari: Kemi kërkesë të madhe për mafiozë, di unë 3 raste në prokurori
Analisti Arjan Vasjari bëri një deklaratë të fortë në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, teksa komentoi atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoji, te mbikalimi i Shkozetit.
Analisti Vasjari tha se në makinën, që iu bë atentat, udhëtonin bashkë shteti, krimi dhe populli, dhe si gjithmonë, e pësoi ky i fundit, referuar faktit që shoferi i prokurorit, Andi Maloku, ndërroi jetë sot te Spitali i Traumës.
Sipas tij, kjo ishte një ngjarje tipikisht mafioze, ndërsa shtoi se tashmë në Shqipëri duhet ta pranojmë se kemi një mafie autoktone, mafie tonën.
Ndërsa sa i takon faktit që atentati ishte ndaj prokurorit Ndoji, Vasjari deklaroi: “Njerëzit e drejtësisë mund të goditen vetëm për dy arsye ose se luftojnë bizneset e krimit ose se bëjnë biznes me krimin, nuk ka rrugëdalje tjetër. Unë nuk e di që Ndoji është duke bërë biznes me krimin, ama të udhëtosh me krimin është provë e qartë se nuk je duke i luftuar”.
“Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të thyejë rregullat në fillim të emisionit, por e ndjej, sepse më traumatizoi shumë humbja e jetës së djalit. Ajo çfarë ndodhi te mbikalimi i Shkozet, është për të shpjeguar Shqipërinë e sotme. Në atë makinë udhëtonte shteti, krimi dhe populli, dhe siç ndodh gjithmonë me popullin, populli vdes. Përmasa e asaj çfarë ka ndodhur është qartësisht përmasa e një ngjarjeje mafioze, tipikisht mafioze. Duhet të themi se tashmë Shqipëria në realitete të caktuara të saj, veçanërisht Durrësi, fenomeni mafioz ka pësuar një metamorfozë, një hop cilësor.
Tani flitet për mafie të mirëfilltë. Ne duhet të themi “po, kemi një mafie autoktone, një mafie tonën”. Shpeshherë ngatërrohet krimi i organizuar me mafien. Mafia është një fenomen politiko-social i strukturuar, që bashkëjeton vetëm në bashkësinë e shtetit dhe të politikës. Kjo që po ndodh në Durrës është vetëm krateri i një llave që ka shpërthyer. Por, nuk ka shpërthyer vetëm tani. Në Durrës, mos të harrojmë që një rast i ngjashëm ka ndodhur më 2011, mos harroni hotelin e famshëm Vollga.
Sot në Shqipëri po ndodh një fenomen, i cili në fakt është tipikisht për realitetet mafioze. Në Shqipëri mafia është e kapitalizuar, është në shtet, në strukturat e drejtësisë, në politikë, në bashki, etj. Ajo që është shqetësuese, është se ne kemi dhe një kërkesë të madhe për mafiozët. Individët përpiqen që problematikat e tyre t’i zgjidhin te mafia, siç ishte rasti i Vollgës. Ata bënë pazar me mafien, se nuk e zgjidhin dot ndryshe problemin. Po ju them, di unë së paku, tre raste ku individë, njerëz me një problem të caktuar në administratë apo në gjykata, ishte në prokurori ky rasti, që nuk mund të depërtonin aty, për shkak të korrupsionit, kanë shkuar e kanë trokitur te këta mafiozët dhe i kanë zgjidhur problematikat e tyre.
Kjo është mjaft shqetësuese. Ajo që ndodhi në Shkozet është një kambanë alarmi, që nuk bie për herë të parë. Njerëzit e drejtësisë mund të goditen vetëm për dy arsye ose se luftojnë bizneset e krimit ose se bëjnë biznes me krimin, nuk ka rrugëdalje tjetër. Unë nuk e di që Ndoji është duke bërë biznes me krimin, ama të udhëtosh me krimin është provë e qartë se nuk je duke i luftuar”, tha Vasjari.