Vatikani fton prindër me fëmijë të vizitojë “kopshtet e Papës”

Propozimi i ri, origjinal, nga Muzetë e Vatikanit nisi dje, e shtunë, 13 korrik dhe do të zgjasë deri në fund të tetorit:  quhet “Cattura la natura”, turneu i parë me prijës në Kopshtet e Vatikanit, kushtuar posaçërisht prindërve që dëshirojnë të kalojnë dy orë të këndshme në shoqërinë e fëmijëve të tyre, në skenën e mrekullueshme të natyrës të “Kopshteve të Papës”, në ajrin e pastër erëmirë. Shëtitje origjinale, e frymëzuar nga enciklika Laudato Si’ e Papës Françesku, për të vijuar ndërgjegjësimin e të rriturve dhe të fëmijëve lidhur me temën e mbrojtjes së krijimit.

Frymëmarrje me “mushkëritë e blerta” të Shtetit të Vatikanit

Nisma do të pasurojë ofertën e vizitave dhe aktiviteteve të krijuara nga Muzetë e Vatikanit, të përshtatura për familjet. Çdo të shtunë të muajit, deri më 26 tetor, familjet do të shoqërohen nga ekspertë arsimorë për të zbuluar “mushkëritë e blerta” të Shtetit të Vatikanit: bimët e Kopshtit Biblik, pemët e Pyjeve, Kopshtin Anglez, Shatërvanin Spinster, Kazinën Piu IV, Zojën e Rojes dhe atë të Fatimes, vendet e preferuara të Papëve gjatë shëtitjeve të tyre, stemat papnore dhe, në fund, do të dëgjojnë edhe shumë anekdota e kuriozitete. Ajo që do ta bëjë të veçantë këtë shtegtim nëpër natyrë, art e besim, do të jenë lojërat, laboratorët dhe përvojat krijuese,  që do të gjallërojnë vizitën.

Mbrojtja e shtëpisë së përbashkët

Ndër aktivitetet e propozuara kujtojmë kërkimin e thesarit, krijim i një “kryevepre” të Vatikanit me teknikën e frotazhit, zbulimin e breshkave, njohjen e bimëve të përmendura në Bibël, dallimin e prodhimeve natyrore nga ato sintetike. Një përvojë e vërtetë edukimi në natyrë e ndërgjegjësim së bashku për bukurinë dhe mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët.

Vizita e udhëhequr (si në italisht, ashtu edhe anglisht) u krijua për familjet me fëmijë të moshës 6 deri në 12 vjeç, por është plotësisht e mundshme edhe për të gjithë njerëzit me aftësi të kufizuara shqisore, motorike dhe intelektuale (rezervimi për të gjithë, në adresën e emailit accessibilita.musei@scv.va) . Në fund të turneut, pa kosto shtesë, do të  mund të vizitohen në mënyrë të pavarur edhe Muzetë e Vatikanit.

R. SH. – Vatikan 

SHKARKO APP