Vatra e re infeksionit në Tiranë, infektohen disa punonjës të një fasonerie, 4 urgjenca të reja tek Infektivi

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shtruar te Spitali Infektiv edhe katër pacientë të tjerë të infektuar me koronavirus. Burime bëjnë me dije se katër pacientët e shtruar orët e fundit i përkasin dy vatrave të nxehta aktualisht në Krujë dhe Shkodër.

Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme është zbuluar një tjetër vatër e infeksionit në një kompani këpucësh në Tiranë.
Burime nga ISHP thanë për “News 24” se nga analizat e para laboratorike janë 3 punonjës të prekur nga COVID, porse ka dyshime të forta se numri i të infektuarve është më i lartë.

Burime nga ISHP konfirmojnë se ka nisur prej ditës së djeshme hetimi epidemiologjik që do të nxjerrë shtrirjen e infeksionit viral brenda stafit të kompanisë fasone, që numëron disa qindra punonjës. Deri atëherë aktiviteti në fasonerinë e këpucëve, që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës, do të qëndrojë pjesërisht i bllokuar.

Kjo është vatra e dytë e nxehtë e përhapjes së koronavirusit brenda sipërmarrjeve fasone në Shqipëri, pas rastit të Krujës, ku në pak ditë u raportuan 100 të infektuar direkt ose indirekt. BW

SHKARKO APP