Vazhdojnë ndryshimet në kadastrën e Vlorës, largohen zëvendësdrejtorët
Dy zëvendësdrejtorët e Kadastrës së Vlorës Vjola Hima dhe Renato Banushi janë larguar nga puna.
Nuk dihen ende shkaqet e largimit të tyre. Viola Hima ka qenë më parë dhe drejtuese e Kadastrës, për vetëm 3 ditë punë.
Dy zëvendësuesit e tyre janë Rinald Koburja dhe Jonela Dervishaj.
Kadastra e Vlorës, vitin e fundit, është kthyer në një insitucion problematik dhe jo funksional, ku drejtuesit e saj ndërrohen çdo javë.
Në 10 muajt e fundit, Kadastra e Vlorës ka ndryshuar 8 drejtues, të cilët jepnin dorëheqjen vetëm pas disa ditësh ose javësh punë.
Viola Hima ishte rasti më ekstrem: ajo ndenji vetëm 3 ditë në punë, u emërua të premten, më 29 maj dhe u dorëhoq të hënën në 1 qershor.
Dorëheqjet mediat i kanë lidhur me çështjen e pronësisë së një zone në plazhin e Jalit, atje ku qeveria i ka dhënë kompanisë Soleil & Sea leje për ndërtimin e 3 komplekseve hotelerie si investim strategjik.
Pretendimi i pronësisë nga familja e Kristo Gjokës ka bërë që ndërtimi të bllokohet. Për këtë çështje ka patur disa vendime gjykatash, zbatimi dhe mos-zbatimi i të cilave ka përfshirë një pjesë të zyrtarëve të hipotekës së Vlorës në shpërdorim detyre. Vetë ish-drejtori hipotekës, Taulant Cenameti, është paditur nga familja Gjoka si i përfshirë në këtë çështje.