Vazhdon kaosi, qytetarët të paqartë për fluturimet me “Fly Ernest”

Vijon kaosi në aeroportin e Rinasit me fluturimet e kompanisë “Fly Ernest”. Sportelet e informacionit në këtë aeroport janë të gjitha të tej mbushura me qytetarë që kërkojnë sqarime për fatin e biletave të tyre.

Numrat e kontaktit të kompanisë, e cila u pezullua nga Aviacioni Civil Italian për të kryer fluturime përtej 13 janarit, janë të padisponueshëm. Edhe ata pasagjerë që mundën të udhëtojnë këtë të mërkurë në destinacionet përkatëse, iu desh të prisnin gjatë. Fluturimi për në Piza, i parashikuar në orën 11:30, u realizua vetëm pas më shumë se dy orësh. Ndërsa nuk ka një orar për Xhenovën dhe Bergamon.

Burime nga aeroporti bëjnë me dije se mbrëmjen e djeshme mbi 300 pasagjerë u nisën me avionë të vënë në dispozicion nga “Fly Ernest”. Duke reduktuar disi humbjet financiare, qytetarët pranuan madje të ndryshojnë destinacion dhe të udhëtojnë me këto avionë, pavarësisht se biletën e kishin prerë për në qytete të tjera të Italisë.

SHKARKO APP