Vazhdon operacioni “Mezhgorani”, shkon në 37 numri i të arrestuarve
Ka shkuar në 37 numri i të arrestuarve nga operacioni Mezhgorani.
Policia ka vënë në pranga një tjetër person të shpallur në kërkim.
Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër u ndalua shtetasi B. M., 32 vjeç, banues në Mallakastër, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Moskallëzim krimi”.
5 ditë më parë, pas një hetimi 6-mujor u finalizua operacioni “Mezhgorani”, në kuadër të të cilit u arrestuan, u ndaluan dhe u proceduan 53 shtetas.
Gjatë operacionit u sekuestruan 3 pushkë automatike me silenciator, 2 kallashnikov, 10 kallëpe tritol, 620 fishekë, 2 granata difensive, 71 krehër fishekësh, 20 automjete te markave të ndryshme, 40 telefona celular, dokumente noteriale, kontrata, certifikata pronësie të ndryshme, rreth 130 kg kanabis, shuma prej 10 milion lekësh, 7500 euro, si dhe 3500 euro të dyshuara të falsifikuara.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Mezhgorani”.