Vdekja e 17-vjeçarit në Vlorë, Avokati i Popullit nis hetimet për shfrytëzimet e fëmijëve në punë
Pas ngjarjes së rëndë ditën e djeshme në Vlorë ku një 17-vjeçar humbi jetën në punë, ka ardhur dhe reagimi i Avokatit të Popullit.
Përmes një deklarate, ky institucion shprehet se ka filluar hetimin administrativ të problematikës shqetësuese të shfrytëzimit të punës së fëmijëve.
Gjithashtu u kërkohet veçanërisht institucioneve që ushtrojnë funksione inspektimi, të marrin masa për evidentimin e personave fizikë e juridikë që shfrytëzojnë punën e të miturve, me qëllim parandalimin e ardhjes së pasojave të rënda.
Deklarata e plotë
”Avokati i Popullit dhe KMPDF kanë marrë dijeni për ngjarjen e rëndë dhe fatkeqësinë e humbjes së jetës së një të riu,17-vjeçar, J.B., aksidentalisht në një kantier ndërtimi, në Vlorë.
Tash, kemi filluar procesin e hetimit administrativ të problematikës shqetësuese të shfrytëzimit të punës së fëmijëve, mbështetur në tagrin kushtetues dhe ligjor, që institucioni i Avokatit të Popullit ka. Kjo nismë është në vijim edhe të Raportit të Veçantë “Puna e fëmijëve në Bashkinë Bulqizë”, publikuar nga AP dhe depozituar në Kuvendin e RSH-së, qysh në nëntor të 2018-ës.
Përbën investim dhe punë të përditshme të Seksionit të Mbrojtjes dhe Promovimit të të Drejtave të Fëmijëve në institucionin e Avokatit të Popullit, mbrojtja dhe vënia në thelbin e çdo veprimtarie administrative të përditshme, e interesit më të lartë të fëmijës. Dhe, këtë vijojmë t’a kërkojmë me forcë.
Jeta e çdo individi dhe sidomos jeta e një fëmije është e shtrenjtë, ndaj garantimi i sigurisë së saj, duhet të mbizotërojë.
Pavarësisht hetimit dhe ndjekjes së çështjes nga institucionet e zbatimit të ligjit penal, Avokati i Popullit e ka në proces monitorimi, problematikën e shfrytëzimit të punës së të miturve dhe është në përfundim të hartimit të rekomandimeve legjislative për parandalimin e kësaj dukurie negative, shfrytëzimit për punë të fëmijëve dhe eleminimit të formave më të rënda, në të cilat ajo shfaqet.
AP dhe KMPDF sjellin në vëmendje të autoriteteve shtetërore përgjegjëse, veçanërisht institucioneve që ushtrojnë funksione inspektimi, të marrin masa për evidentimin e personave fizikë e juridikë që shfrytëzojnë punën e të miturve, me qëllim parandalimin e ardhjes së pasojave të rënda.”
/Ora News.