Vdekja e 22-vjeçares/ Lala: Të huajat punësohen në kazino pasi nuk dallojnë figurat e njohura

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e emisionit ”Open”, ka folur në lidhje me rastin e vdekjes së 22-vjeçares keniane Joy Aoko. Lala deklaroi se vajza nuk ka qenë për shumë kohë në hostelin ku ndodhi ngjarja dhe se kishte aty vetëm 12 ditë, ndërsa shtoi se po të kishte pasur një veprimtari hetuese më të mirë do të ishin zbardhur shumë fakte. Sociologu Ergys Mërtiri ka ngritur pikëpyetjen se pse në kazino janë punësuar vetëm vajza të huaja ashtu si Aoko, gjë të cilës Lala iu përgjigj me arsyetimin se kjo ndodh për shkak se ato nuk mund të identifikojnë figurat e njohura të vendit që frekuentojnë ambientet e lojërave të fatit.

Pjesë nga biseda:

Lala: Vajza nuk ka qenë gjithmonë në hostelin ku ndodhi ngjarja, aty kishte vetëm 10 apo 12 ditë. Po të kishte pasur një veprimtari hetuese më të saktë do ishin zbardhur shumë gjëra.

Mërtiri: Kazino është fundja fundit. Përse nuk punojnë dhe shqiptarë.

Lala: Në kazino nuk shkojnë njerëz të zakonshëm. Këto vajza punësohen sepse nuk i njohin figurat e njohura në vend. Unë kam qenë në polici dhe vetë zyrtarët më kanë pyetur se si e kam parë këtë ngjarje. Nuk e kishin të qartë se çfarë ka ndodhur. Unë dyshoj te të gjitha mundësitë. Institucionet janë sjellë në mënyrë mizerabël me këtë dosje. Nuk ka rezultuar se vajza përdorte substanca të ndryshme. Po ashtu nuk ka pasur një ekspertizë nëse ajo është përdhunuar apo jo për shkak të gjendjes së saj shëndetësore. Është një tjetër aspekt i errët i kësaj historie. Institucionet janë mjaftuar me fjalë goje për këtë rast. Ajo ishte një pacient për mjekët. Mjeku duhet të arsyetonte. Prandaj ka kaq shumë mistere historia.

Mërtiri: Mua më duket se është rast korruptiv dhe rast paaftësie për të mbyllur çështjen e tyre. Kaq hapur sa janë janë shumë të trashë këta. Një hetim që mund të bëhet në prokurori mjafton të lexojë dokumentet dhe duket se dikush është i korruptuar apo i paaftë. Kjo tregon se nuk ka shtet dhe ndërthuren shumë gjëra. Ka qenë një vajzë e vetme dhe pa mbështetje. /Balkan Web/

SHKARKO APP