Vdekja e 3 familjarëve nga kërpudhat/ Trebicka: Disa e japin efektin pas disa ditësh, shkatërrojnë organet e të çojnë drejt vdekjes

Kërpudhat e pangrënshme dhe helmuese sipas biologut Artan Trebicka mund të kenë shkaktuar vdekjen e tre anëtarëve të familjes nga Gjilani, Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti, për shkak se ata nuk kanë qenë njohës të mirë të tyre. Ai nënvizon se kërpudhat mund të dallohen nga pamja nëse janë të ngrënshme ose jo, por për ti kuptuar duhet të jesh një njohës i mirë i tyre. Në një shportë me kërpudha sikur njëra prej tyre të jetë helmuese, sipas biologut, mund të vdesë e gjithë familja. Rrezikshmëria thotë Trebicka, varet nga lloji i kërpudhës pasi ka dhe nga ato që shkaktojnë dhimbje vdekjeprurëse.

“Kërpudhat janë të llojeve të ndryshme disa të ngrënshme dhe kultivohen nga njeriu dhe një pjesë janë helmuese. Shkalla e toksitetit është e ndryshme. Ka shumë raste në botë që një shportë me kërpudha njëra të jetë helmuese mund të vdesë e gjithë familja. Ata ndryshojnë nga pamja. Më ka rastisur të mbledh kërpudha me disa miq dhe ata kishin një libër me të gjitha pamjet e kërpudhave dhe e kërkonin në libër nëse mund të mblidhet ose jo sepse janë shumë të rrezikshme dhe varet rrezikshmëria nga lloji i kërpudhës. Ka nga ato që shkaktojnë dhimbje vdekjeprurëse. Duhet të jesh njohës i mirë që të marrësh kërpudha dhe smund të marrësh kërpudha që shiten vetëm në pazar”, tha ai për “Report Tv”.

Biologu veçon se efekti i kërpudhës helmuese nuk jepet brenda ditës, pasi ka dhe nga ato që e japin pas disa ditësh pasi të kenë shkatërruar organet si mëlçia dhe veshka. Pa pasur një simptomë biologu shton se pasi i kanë shkatërruar organet, kërpudhat të çojnë drejt vdekjes së sigurtë.

“Ndodhen gjithandej dalin në pranverë dhe në vjeshtë. Ka kërpudha që janë të ngjashme me kërpudha që janë të ngrënshme aq më tepër kur njerëzit si njohin fare as të ngrënshme dhe të pangrënshme, unë mendoj se ata duke mos njohur kërpudhat kanë menduar se janë kërpudha të ngrënshme. Efekti që shkakton helmi i kërpudhës nuk është e thënë se është brenda ditës. Ka nga ata që e japin efektin pas didsa ditësh. Kanë vepruar në organe në mëlçi dhe veshka dhe kur shkon për tu kuruar ska asnjë mundësi sepse organet janë shkatërruar. Shpesh ato godasin organet dhe sidomos mëlçinë. Metabolizohen të gjithë substancat e organizmit. Pa pasur një simptomë mëlçinë e kanë dëmtuar dhe e kanë nxjerrë jashtë përdorimit dhe të çojnë drejt vdekjes së sigurtë. Efektin e bëjnë në organe pa të shkaktuar ndonjë simptomë që lidhet me të vjella apo procese të këtij lloji që vijnë nga ushqimet”, tha ai.

SHKARKO APP