Vdekja e 3-vjeçarit, Prokuroria nis hetimet! Babai: I dëmtuan organet, nuk ka pasur probleme me zemrën

3-vjeçari Brian Spahiu humbi jetën pas një ndërhyrje kirurgjikale në klinikën dentare ”Splendent”. Prokuroria e Tiranës, ka nisur hetimin për veprën penale ”Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Prokuroria njofton se po vijon kryerja e veprimeve të tjera procedurale në lidhje me procedimin penal, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit.

Bledar Spahia, babai i 3-vjeçarit thotë se fëmija ka qenë në gjendje të rënduar pas ndërhyrjes dhe ata akuzojnë mjekun Roland Xhaxho se i ka injektuar narkozë më dozë të lartë.

Mjeku Xhaxho tha mbrëmjen e së enjtes në një intervistë televizive, se i mituri kishte probleme me zemrën, por babai e mohon. Ai thotë se fëmija nuk kishte më probleme dhe ka treguar edhe recetën ku mjeku pediatër Albert Koja ka shkruar se nuk është problem që i mituri ta realizojë ndërhyrjen në gojë.

Ndërsa gjyshi i 3-vjeçarit tha se e çuan tek dentisti vetëm për të pastruar dhëmbët, por pas konsultës, mjeku dhe vajza e tij i sugjeruan operacion dhe prindërit e tij pranuan. Prindërit thonë se djali ka rënë në gjendje kome pas anestezisë. Por priten rezultatet e ekspertizës mjeko ligjore të autopsisë, për të vërtetuar shkakun e ndarjes nga jeta të fëmijës 3-vjeçar të familjes Spahiu.

SHKARKO APP