Vdekja tragjike e tre minatorëve, Kol Nikollaj: Qeveria të mbyllë minierat e braktisura

Një tragjedi ndodhi në një minierë lokale në zonën e Selishtës në Dibër, ku humbën jetën tre minatorë. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj thotë se ngjarja ka ndodhur në një minierë të braktisur dhe jashtë kontrollit të institucioneve.

”I bëjmë apel ndaj qeverisë, ndaj politikbërësve, vendimmarrjes, veçanërisht ndaj strukturave ligjzbatuese”,-u shpreh Nikollaj. Sipas tij edhe në raste të tjera që kanë qenë fatale dhe kanë rezultuar me humbje jete këto institucione kanë qenë jashtë funksionit të tyre.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Agjencia e Kontrollit të Minierave sipas apelit të Nikollajt duhet të kenë një hartë të galervie të braktisura dhe një hartë të rrezikut në këto galeri.

“Në bazë të vendimit të qeverisë ato (galeritë) duhet të ishin mbyllur dhe duhet të ishin abandonuar duke i mbyllur grykat e tyre me eksploziv apo duke i betonosur”,-sqaroi Nikollaj por nuk la pa përmendur dhe kujdesin që duhet të tregojnë vetë punëtorët kur ndërmarrin përsipër të tilla rreziqe.

SHKARKO APP