Vdekjet nga Covid-19, mjeku Alimehmeti: Të dhënat janë në zbritje

”Të dhënat e vdekshmërisë spitalore nga Covid-19 në vendin tonë, lidhen me moshën, gjininë dhe sëmundjet bashkëshoqëruese”, tha dr. shk. Ilir Alimehmeti, nga fakulteti i Mjekësisë, UMT, në forumin e tretë ”Pandemia e shkaktuar nga Covid-19 dhe përballimi i saj në Shqipëri”, të organizuar nga Akademia e Shkencave.

Alimehmeti theksoi se të dhënat e vdekshmërisë në Shqipëri janë në zbritje, duke qenë të ngjashme me tre katër muaj më parë, më pak se 2 %. ”Vdekshmëria spitalore e raportuar në evidencë ka qenë: 8-21% te pacientët e shtruar me pneumoni nga SARS-CoV-2; 16-78% te pacientët në terapi intensive. Faktorë risku të raportuar në evidencë janë sëmundjet bashkëshoqëruese si hipertensioni, sëmundja e arterieve, koronave, diabeti”, tha ai.

Nga ana tjetër, mjeku foli edhe për terapitë e reja për të luftuar Covid-19, siç janë antitrupat monoklonalë të cilat kanë kaluar në fazën e tretë klinike të testimit, që kanë sjellë në reduktim deri në 70% të shtrimeve në spital dhe reduktim të vdekjeve që në fazën e parë të testimit, ndërsa testimi i fazës së dytë klinike të bërë nga Universiteti i Tel Avivit, ka sjellë 96% të reduktimit të vdekjeve në terapi intensive.

”Antitrupat monoklonalë janë proteina të bëra në laborator që imitojnë aftësinë e sistemit imunitar për të luftuar patogjenët e dëmshëm siç janë viruset, që drejtohen posaçërisht kundër proteinës spike të SARS-CoV-2, të krijuar për të bllokuar lidhjen e virusit dhe hyrjen në qelizat njerëzore. Bamlanivimab dhe etesevimab lidhen në zona të ndryshme, por të mbivendosura në proteinën kulmore të virusit dhe kanë rezultuar efektive në trajtimin e pacientëve të infektuar me Covid-19 të butë ose të moderuar”, tha Alimehmeti.

Sipas tij, testimi varet edhe nga biomarkusët (përgjigjja imunitare e organizmit, kjo më e zhvilluar te fëmijët). ”Kjo na hap rrugën, sepse këto biomarkuse po testohen për krijimin e një testi, i cili është duke u zhvilluar dhe është vërtetuar me 95%, dhe nga këto markusë testojmë nëse një person është më i riskuar nga Covid-19”.

SHKARKO APP