Vdekjet tragjike në Gjirin e Lalëzit, ekspertiza mjeko-ligjore vërteton helmimin nga kërpudhat
Ngjarja në Gjirin e Lalëzit është tragjike, pasi janë tre jetë të humbura brenda së njëjtës familje. Ekspertët mjeko-ligjor kanë zbardhur ekspertizën e vdekjeve dhe vërtetohet se është helmimi i shkaktuar nga kërpudhat. Sipas burimeve njëkohësisht po kryhen edhe analizat e ushqimeve, konkretisht kërpudhave që janë gjetur të gatuara në shtëpinë e viktimave në gjirin e Lalëzit.
Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti shfaqën shenja helmimi dhe u drejtuan për të marrë shërbim mjekësor në qendrën shëndetësore të Manzës, ndërsa më pas u dërguan me urgjencë në QSUT. Paçka ndihmës mjekësore, anëtarët e kësaj familje nuk mundën të jetonin. E para ndërroi jetë Elfete, nëna e Afrimit dhe më pas ky i fundit. E fundit që ndërroi jetë ishte Ferzinaze Haliti.
Të afërmit akuzojnë mjekët për neglizhencë. Nusja e çiftit thotë se ”Mjekët në Tiranë thanë si ka mundësi që mjekët e Manzës i kthyen në shtëpi, tani është shumë vonë. Kur shkova në shtëpi pashë sa shumë kishin vuajtur”. Ajo shton se “do ta ndjekim ligjërish deri në fund, këtë çështje”.
Djali rrëfeu për ”Shqipëria live”, telefonatat me babanë. ”Ishin shumë keq, gjatë gjithë kohës duke vjellë, kanë marrë shumë ilaçe, por pa rezultat”. Më tej, ata kanë shkuar sërish në ambulancë, ku janë nisur me urgjencë drejt Tiranës. Tashmë, priten përgjigjet e toksikologjisë, për të konfirmuar nëse kërpudhat ishin shkaku i vërtetë i vdekjes së tyre.
Djali i viktimave në një konferencë për media tregoi se ka biseduar me babain e tij në telefon dhe e ka vërejtur në të folur se ai nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka treguar se edhe qeni që ka qenë bashkë me familjarët e tij ka ngordhur, ndonëse nuk ka konsumuar kërpudha.
Familjarët e tij edhe më herët kanë mbledhur këpurdha dhe i njihnin ato mirë. “Ne e kemi pasur edhe një qen atje edhe qeni ka ngordhur, ai nuk e konsumon asnjëherë ushqimin që ne e hamë. Kjo shkon përtej dyshimit, sepse qeni nuk konsumon kërpudha. Babi ka dalë shpesh për të na mbledhur kërpudha, nuk është se nuk i ka njohur kërpudhat”.
KOHA JONË SONDAZH

