Vejsiu: Në shkollat publike e vështirë ndarja e klasave
Eksperti i çështjeve të arsimit Fatmir Vejsiu, e mirëpret vendimin për hapjen e shkollave në shtator. Për të mësimi në klasë është i domosdoshëm dhe efektiv, ndërsa shprehu rezervat për mësimin online.
”Jemi para një fakti të ligjëruar tashmë që shkolla fillon më datë 14 shtator. Kjo është më e thjeshta, që të përcaktosh datën e fillimit të shkollës. Ky vit është i ndryshëm sepse duhet t’i përshtatemi kushteve të vështira në të cilën ndodhemi. Jam për fillimin e shkollës parimisht. Bëj krahasimin midis mësimit online dhe mësimit në klasa. Janë të pakrahasueshme. Mësimi në klasë është efektiv, ndërsa online nuk është cilësia e mësimit ashtu si në klasë”,- tha në ”Ora News”.
Referuar udhëzimit të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë, Vejsiu thotë se ka një moskoordim midis ministrive, dhe se pjesë e saj duhej të ishte dhe Minsitria e Arsimit. Sipas tij, në shkollat publike është e vështirë ndarja e klasave me nga 15 nxënës.
”Udhëzimi thotë që nëse klasa ka më shumë se 15 veta ndahet në dy. Shkollat publike janë minimumi me 30 nxënës. Do krijosh dy klasa, po t’i ndash klasat nga dy, duhet të kesh dyfishin e mësuesve. Është vështirë të gjesh mësues të mirë. Ministria e Shëndetësisë nuk e di këtë situatë, por e di Ministria e Arsimit. Jam edhe kundra bërjes së mësimit në më pak se 45 minuta. Një program i caktuar është parashikuar për tu bërë në kaq kohë. Nëse themi se mësimi do zhvillohet 30 minuta, atëherë nuk kemi bërë asgjë. Mësuesit do i duhet kohë për ta shpjeguar mësimin në dy klasa, do jetë e vështirë për të fizikisht. Është e pamundur të kemi cilësi mësimdhënie. Zgjidhja është e vështirë”.