Veliaj: Gjatë 2022 numri i turistëve për herë të parë ua ka kaluar banorëve të Tiranës

“Peza Adventure Festival” mblodhi këtë fundjavë admiruesit e hipizimit, por edhe sportistë profesionistë në aventurat sportive me kuaj, pak të praktikuar në vendin tonë, por me një histori të veçantë ndër vite.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në hapjen e festivalit, u shpreh se kryeqyteti gjithnjë e më shumë po kthehet në një pol shumëdimensional sa i përket sporteve, duke përmendur edhe triumfatorët, të cilët vetëm vitin e fundit i kanë dhënë Shqipërisë tre medalje ari.

“Kemi bërë progres në shumë disiplina sportive: Jemi kampionë europe në atletikë, jemi kampionë bote në mundje dhe në peshëngritje; tashmë, do të duhet të inkurajojmë edhe sportistët që ta bëjnë pjesë të refrenit tonë edhe sportin e hipizmit, të qenit afër me natyrën, jetën e shëndetshme”.

Po ashtu Veliaj tha se Tirana është e mbushur si kurrë më parë me turistë, por edhe me mjaft aktivitete. “Para një jave kishim Festivalin e Nomadëve Digjitalë, pastaj festën e verës “Made in Tirana”,” tha ai, duke shtuar se së shpejti produktet dhe eventet lokale do kthehen në ‘brand’ për çdo lokalitet të Tiranës.

Ndër të tjera, Veliaj nuk la pa nënvizuar edhe numrin e madh të turistëve, që këtë vit kanë vizituar Tiranën, pikërisht të tërhequr nga ky ‘boom’ aktivitetesh.

“Ka qenë ndoshta viti më i paharruar i Tiranës, për sa i takon aktiviteteve. Për herë të parë, pa mbaruar viti, kemi kaluar numrin e turistëve krahasuar me numrin e banorëve. Nëse vazhdojmë me këtë trend, nëse hotelet i kemi plot, nëse restorantet, siç pashë duke ardhur në Pezë, i kemi plot, këto janë të gjitha para që lëvizin në ekonomi”.

SHKARKO APP