Veliaj: 75% e shërbimeve do merren përmes teknologjisë

 

Bashkia e Tiranës shumë shpejt do të prezantojë aplikacionin “Tirana ime”, i cili do t’u vijë në ndihmë të qytetarëve si për të raportuar problemet me infrastrukturën, por edhe për të kontrolluar një sërë shërbimesh siç mund të jetë trafiku i makinave në rrugët, pastrimi apo ujësjellësi. Këtë e ka bërë të ditur sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë fjalës që mbajti në “Forumin ndërkombëtar për promovimin e qyteteve inteligjente – sfidat dhe mundësitë”, i zhvilluar në Durrës ku merrnin pjesë krerë të pushtetit vendor, arkitektë dhe përfaqësues të organizatave apo institucioneve të ndryshme.

Në fjalën e tij, Veliaj theksoi se teknologjia dhe gjithë risitë që ajo sjellë duhet parë edhe si mjet në shërbim të shoqërisë për një shërbim më të mirë dhe që kursen më shumë kohë qytetarëve.

“Shumë shpejt ne do të lëshojmë një aplikacion që quhet "Tirana ime" të cilin çdo qytetar i Tiranës do ketë mundësi ta shkarkojë dhe është i bazuar në një eksperiencë shumë të ngjashme që ne kemi përdorur në fushatë. Atëherë quhej "Unë për Tiranën", kjo quhet "Tirana Ime", ku u kërkonim qytetarëve që të fotografonin dhe të ngarkojë në një template gjithë problematikën e Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Më tej, duke shpjeguar risitë dhe të mirat e këtij projekti, ai bëri të ditur se me anë të aplikacionit çdo qytetar nga telefoni i tij vetëm duke klikuar në të mund të marrë informacionin e duhur se si është gjendja e trafikut në çdo rrugë të Tiranës.

“Platforma është e tillë që çdo njeri nëse është në kategorinë e ndotjes apo trafikut, të bëjë diçka për trafikun për shembull. Kemi hartën e trafikut në Tiranë, për shembull, në çdo moment me një kod ngjyrash  do të shfaqet se si duket ekzaktësisht trafiku”, sqaroi kryebashkiaku. Gjithashtu, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se me anë të këtij aplikacioni nuk bëhet gjë tjetër veçse informacionin që deri më sot e merrnin vetëm disa zyrtarë që kishin akses në të dhënat që vinin për trafikun, tashmë mund ta marrë çdo qytetarë dhe kjo falë teknologjisë.

“Ne kishim një teknologji bazike në bashki, por ishte e aksesueshme për burokratët, pa pikë aksesi për publikun. Kjo do të thotë se mund të kesh investime në kamerat e qytetit por për sa kohë kjo teknologji nuk është në dobi të qytetarëve, një qytetar nuk mund të aksesojë kur të dojë segmentet jeshile, segmentet apo segmentet e kuqe që tregojnë trafik. Nëse nuk është e dobishme për qytetarët atëherë çfarë na duhet ne nëse vetëm 5 policët e bashkisë kanë akses në këtë informacion?”,  u shpreh Veliaj. 

SHKARKO APP