Veliaj: Autizmi është një betejë që fitohet duke luftuar çdo ditë

Qindra qytetarë morën pjesë sot në maratonën “Run4autism” (Vrapojmë për autizmin) në kuadër të Ditës Botërore të Autizmit. Maratona ka nisur në sheshin “Nënë Tereza” dhe ka vijuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, bulevardit “Zogu i Parë” dhe ka përfunduar në Kodrat e Liqenit. Pjesë e saj është bërë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me pjesëmarrësit e tjerë, ka vrapuar në shenjë ndërgjegjësimi jo vetëm ndaj problematikës që shfaq kjo kategori njerëzish që vuajnë nga autizmi, por edhe me të gjithë ata individë të tjerë që u shërbejnë atyre, prindërit, edukatorët, psikologët etj.

Në fund të maratonës, kryebashkiaku Veliaj falenderoi qytetarët e Tiranës si dhe të gjithë vullnetarët, të cilët iu përgjigjën ftesës për t’u bërë pjesë e kësaj maratone, duke shprehur në të njëjtën kohë edhe solidaritetin e tyre ndaj shqetësimeve dhe përpjekjeve që bëhen në trajtimin e çrregullimeve të autizmit. “Më vjen mirë që sot Tirana provoi se është jo vetëm qyteti më i madh e më i mirë në Shqipëri, por edhe më solidari, dhe ky është fillimi i një rruge të gjatë për vullnetarët, por sidomos i një rruge ku prindërit nuk lihen vetëm po kanë  një solidaritet njerëzor që këtë vit është shumë herë më i madh se vitet e tjera”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Më tej, ai shpjegoi se simbolika e kësaj maratone është tepër domethënëse për të kuptuar se trajtimi i këtij çrregullimi te një pjesë e njerëzve kërkon angazhimin e jo vetëm të institucioneve shtetërore, por më së shumti të vetë shoqërisë. “Çdo qytetar që ka vrapuar duke blerë një bluzë ose duke qenë pjesë e kësaj gare ka dhuruar në të holla një shumë modeste, aq sa ka pasur mundësi. Kjo shumë është shpërndarë kryesisht për mësuesit dhe edukatorët, trajnerët, terapistët, duke qenë se autizmi ka zgjidhje, por kërkon shumë përpjekje terapeutike”, theksoi Veliaj.

Sipas tij, trajtimi i përditshëm i kësaj kategorie të prekur nga këto çrregullime, si në përditshmërinë e tyre ashtu edhe në shkolla, kërkon angazhim të përditshëm dhe mbi të gjitha të kushtueshëm. “Nëse në një klasë kemi një mësues me 40 nxënës, në qoftë se në një kopsht kemi një edukatore për 10-15 nxënës, ajo që është ideale për fëmijët autikë është që të kemi një trajner, një terapist për një deri në tre fëmijë”, tha kryebashkiaku Veliaj, duke theksuar se kjo nuk është një beteje që luftohet e fitohet në një ditë.

Ai siguroi se Bashkia e Tiranës do të marrë angazhimin që i takon në këtë drejtim, duke përfshirë edhe ndihmën financiare ndaj atyre organizatave që fokus të punës së tyre kanë personat autikë. “Si bashki do ndihmojmë, kemi alokuar tashmë disa fonde për shoqata që merren direkt me terapinë e fëmijëve autikë. Do u kërkojmë gjithë qytetarëve, atyre që kanë mundësi, që një pjesë të tyre t’i kanalizojnë në kauza ku shteti sado të bëjë, nuk bën dot kurrë sa totali i solidaritetit që ofron shoqëria”, u shpreh Veliaj.

2 Prilli është shpallur si Dita Botërore e Autizmit dhe qëllimi i saj është kthimi i vëmendjes së shoqërisë ndaj nevojës për trajtim të përditshëm që kanë personat e prekur prej autizmit. Çrregullimet pervazive të spektrit të autizmit janë probleme zhvillimore, të cilat prekin fushën afektive, emocionale, marrëdhënore dhe konjitive të individëve. Çrregullimi është i lindur, por mund të diagnostikohet në moshën 4 vjeçare. Ky lloj çrregullimi nuk ka shërim, por mund të trajtohet përmes teknikave terapeutike për të rritur përshtatshmërinë e individit në mjedisin ku jeton.

SHKARKO APP