Veliaj: Beteja jonë është me dy vjetërsira, që duan ta çojnë Shqipërinë mbrapa

Në takimin me të rinjtë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Partia Socialiste duhet të bëjë diferencën në këto zgjedhje, pasi filozofia e saj është bashkimi dhe jo përçarja. Ai tha se beteja në këto zgjedhje është me Ilir Metën dhe Sali Berishën, duke i cilësuar si “vjetërsira” që duan ta kthejnë vendin pas.

“Nëse filozofia e tyre është përçarje, filozofia jonë është bashkimi; nëse filozofia e tyre është të mbjellim helm e ndasi, ne duhet të mbjellim pemë e bashkim mes njerëzve. Ne nuk kemi asnjë problem me ata që vihen përpara të thonë gënjeshtra, por e kemi me ata që janë mbrapa tyre, që kurdisin kukullat.

E në këtë rast, mjeshtrat e kukullave janë Saliu me Ilirin, nuk ka asnjë iluzion për këtë. Përndryshe nuk do i kishim listat e KB të mbushura me histerizmat e Ilir Metës, me ata që rrëzuan PD-në e PS-në nga pushteti, dhe janë gati të tradhtojnë këdo vetëm që ta shqyejnë forcën politike. Ne e kemi betejën me dy vjetërsira që duan ta çojnë Shqipërinë mbrapa”, tha Veliaj.

Mandej Veliaj shtoi: “Duhet të bëjmë diferencën mes këtyre mjeshtrave të kukullave, që komandojnë kukullat, dhe mbështetësit e tyre nuk kanë asnjë faj pse Berisha dhe Meta u shitën tek rusët. Me ata ne duhet të komunikojmë e të flasim, t’u themi pse të shkojnë si ‘cjapi të kasapi’, te partia e Ilir Metës, kur mund të vijnë te një forcë politike patriotike, të vendosur e transformuese”, përfundoi ai.

SHKARKO APP