Veliaj: Blini shqip, të mos paguajmë haraçin e luftës në Ukrainë. Tregu i ri publik me shumicë

Për tre ditë me radhë, 500 fermerë që kultivojnë produkte vendase po i ekspozojnë prodhimet e tyre në stendat e Panairit agroushqimor “Shijo produktet lokale të Tiranës” në sheshin “Skënderbej”. Edicioni i 5-të i këtij panairi në kryeqytet, synon të promovojë produktet bujqësore dhe blegtorale, por edhe ato artizanale.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili, së bashku me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca, vizituan ditën e sotme panairin, u shpreh krenar që Tirana, në çdo stendë, ka nga një produkt origjinal, me të cilin prezantohet dhe njihet edhe përtej territorit shqiptar. “Është shumë kollaj të bësh llafe, i keni parë ca nëpër ekrane, kur japin mend për gjithçka?, – por, sot ne nuk na duhen ata që japin mend, na duhen ata që prodhojnë punë, ata që ndërtojnë sera, ata që mbushin tavolinat dhe ata që jetojnë me punë të ndershme. Nuk besoj se ka kartolinë më të bukur për sheshin “Skënderbej” se sa 500 sipërmarrjet e punës së ndershme, nga e gjithë Shqipëria dhe trojet tona”, tha Veliaj.

Nga ana tjetër, ai shtoi edhe se sot Tirana është e mbushur me turistë nga e gjitha bota, por reklamën më të mirë për vendin dhe produktet tona mund ta bëjnë vetëm shqiptarët.

”Sot dua t’u bëj thirrje të gjithëve: Po vjen Viti i Ri, ndaj nuk ka gjela më të mirë se sa gjelat e Baldushkut, që prodhohen nga fshatarët tanë, që ushqehen me ullinjtë tanë, me misrin tonë dhe që çojnë para mbrapsht në familjet që i rrisin vetë, për të ndërtuar një shtëpi, për të blerë rrobat e fëmijëve, librat e shkollës. Është një mënyrë se si ne solidarizohemi me njëri-tjetrin. Ka vaj e gjithë bota, po vaj ulliri si ai i Ndroqit nuk ka parë njeri, nuk ka shijuar njeri. Ndaj, sallatën bëjeni vetëm me vajin e Ndroqit. Ai është vaji më i mirë në vend. Ka rrush gjithandej, por raki dhe verë si Lundra nuk ka! Ka domate plot, por si domatja e Shëngjergjit nuk ka! Ndaj, ju lutem këto tre ditë blini shqip, konsumoni shqip, përqafoni shqip, dashuroni shqip, se është e vetmja mënyrë për të kaluar këtë sfidë të luftës”.

“Kush blen mall importi”, apeloi Veliaj, “praktikisht po paguan haraçin e luftës dhe inflacionin e çmimeve. Kush blen mallrat e familjeve dhe punëtorëve të Tiranës, ka ndihmuar ata dhe veten”. Veliaj theksoi edhe faktin se së shpejti të gjithë fermerët do të shpëtojnë nga makthi i taksave të privatit në tregun agroushqimor.

SHKARKO APP