Veliaj debat me bizneset e Tiranës për zhvillimin ekonomik: “Do t’i japim prioritet partneritetit publik-privat”

 

Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot përballë përfaqësuesve të biznesit tiranas, me të cilët diskutoi dhe argumentoi rëndësinë e partneritetit publik-privat, inventarizimin e aseteve të bashkisë, si dhe ngritjen e Këshillit Ekonomik të Tiranës. Në tryezën e debatit të zhvilluar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Veliaj ishte i vetmi kandidat që pranoi të përballej me bizneset, për të shpalosur vizionin dhe programin e tij për zhvillimin ekonomik të integruar për kryeqytetin.

 

“Duam shumë që t’i japim prioritet partneritetit publik-privat. Në disa skema që tashmë kemi menduar, duam të kemi tre terminale të hyrjes në Tiranë, për transportin publik. Është e paarsyeshme që bashkia të ketë monopol dhe të investojë gjithçka vetë, ndaj këto mund të bëhen në partneritet me biznesin”, deklaroi kandidati i majtë. Ai theksoi se në drejtimin e Bashkisë së Tiranës do të ketë një partneritet publik-privat për çështje që lidhen me biznesin dhe pikat e grumbullimit.

 

Duke vlerësuar se në Tiranë ka prona të bashkisë të cilat janë të pazhvilluara, Veliaj tha se ekziston një inventar i të gjithë aseteve të bashkisë që mund t’i shërbejnë biznesit për të rritur punësimin. “I gjithë inventari i aseteve, kryesisht kapanone në territorin e bashkisë, të shumë uzinave, fabrikave, të cilat mund të vendosen në dispozicion të biznesit, kryesisht të bizneseve që kryejnë punësime masive, si teknologjia e komunikimit apo industria fasone. Për këto biznese që bëjnë punësime masive inventari i bashkisë duhet të jetë në dispozicion, pasi aktualisht janë asete që rrinë kot ose që janë kthyer në klube”, deklaroi Veliaj.

 

Një tjetër angazhim i kandidatit Veliaj për zhvillimin ekonomik të Tiranës është edhe ngritja e Këshillit Ekonomik të Tiranës brenda 100 ditëve të para të mandatit. Ai sqaroi se kjo është një platformë këshillimore para se vendimet t’i kalojnë për miratim Këshillit Bashkiak. Ndërsa, vlerësoi se bashkia bëhet operator i konkurrencës së pandershme, Veliaj premtoi trajtim të barabartë të bizneseve, por edhe taksa në varësi të zonës ku zhvillohet aktiviteti.

 

“Apeli që marrim në mënyrë të vazhdueshme nga biznesi është që të kemi një trajtim të barabartë. Por, sigurisht unë pajtohem me ju, që duhet të ketë një trajtim të barabartë, por progresiv. Kjo do të thotë se vlera e një prone në periferi, nuk mund të ketë një taksë fikse si vlera e një prone në qendër të Tiranës. Ndaj edhe në këtë kuptim do të duhet të ketë një sistem progresiv të mënyrës se si taksojmë në kryeqytet, e jo si një kapele që u bën të gjithëve”, deklaroi Veliaj.

 

Në përballjen me pyetjet e biznesit, kandidati i majtë theksoi nevojën e investimeve në natyrë për të kthyer turizmin dhe agroturizmin e bujtinave. “Tirana, me këtë pajën natyrore që merr nga rrethanat e saj, ka rreth 100 liqene dhe rezervuare si pjesë të saj. Me pak investim në infrastrukturë,ne mund të sjellim turizmin e natyrës dhe atë të aventurës së sporteve ekstreme në Tiranë. Do të inkurajojmë agroturzimin e bujtinave, një lloj turizmi që është më pranë bujqësisë”, sqaroi Veliaj.

 

Ai tha se kryeqyteti duhet të ketë një panair ose ekspozitë të përhershme të produkteve lokale, që turistët largohen me një paketë produktesh të zonës. Kandidati i koalicionit të majtë sqaroi se për të  nxitur bujqësinë do të krijohet në bashki një Qendër për Agronominë dhe Veterinarinë, si dhe një agjenci tjetër që do shërbejë për këshillimin apo financimin dhe dhënien e granteve.

SHKARKO APP