Veliaj: Demokratët e vërtetë e kuptuan që Saliu e ka shitur lojën! Bashkohuni me socialistët, jo me Metën

Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Erion Veliaj u ka bërë një thirrje të sinqertë demokratëve nga Peza, ku ndaloi për takimin e radhës me banorët, duke i ftuar t’i bashkohen socialistëve dhe të braktisin Ilir Metën.

Veliaj tha se demokratët e vërtetë nuk identifikohen me personat ‘non grata’, e as me ata që shkaktuan tragjeditë më të mëdha të këtij vendi. “Demokratët e vërtetë nuk janë ‘non grata’. Demokratët e vërtetë nuk e kanë shkaktuar Gërdecin. Gërdeci ishte vepër e Zenit dhe e Saliut, nuk ishte e demokratëve. Një demokrat i thjeshtë i Pezës, i Ndroqit, i Vaqarrit, ka vuajtur njësoj si banorët e Gërdecit. Demokratët e vërtetë nuk vranë njerëz në 21 Janar. Mund të ketë vrarë Saliu me gardistët e tij, por jo një demokrat i vërtetë, jo një demokrat i thjeshtë i Pezës, i Ndroqit dhe Vaqarrit. Le të mos ngatërrojmë demokratët e vërtetë”, tha ai.

Ata që janë demokratë të vërtetë, tha Veliaj, e kanë kuptuar se Saliu e ka shitur lojën, ndaj e braktisën në stadium në fjalimin e hapjes së fushatës.

“E di kush ishin demokratët e vërtetë? Ata që braktisën Saliun dhe e lanë të fliste vetëm në stadium me sediljet bosh. Respekt për demokratët e vërtetë, që ikën nga stadiumi, sepse edhe demokrati më i thjeshtë në Vaqarr, në Ndroq, në Pezë, e ka kuptuar se ata e kanë shitur lojën. Duan t’i falin votuesit demokratë tek Ilir Meta. Ju mund të thoni: “Hë, more kryetar tani, mos bëj politikë”. Shiheni listën e Këshillit Bashkiak. Lista e Këshillit Bashkiak është treçerek e Ilir Metës, edhe tek-tuk ndonjë emër i Saliut. Për sa kohë që edhe në fletën e votimit nuk e vënë emrin e kryetarit, loja është e shitur. Edhe ky dhëndri ynë, edhe Ilir Meta, po presin që plaku të largohet, të braktiset, siç e braktisën dje,” tha Veliaj.

Veliaj i ftoi ata të bashkohen me skuadrën socialiste. “Një thirrje për demokratët: Mos i trajtoni kaq keq pensionistët. Nuk braktiset një pensionist vetëm në mes të stadiumit. Nuk lihet një plak 80 vjeç vetëm të humbë rrugën nëpër Tiranë. Ndaj, thirrje për gjithë demokratët: Nëse keni vendosur për ta lënë plakun vetëm, mos shkoni te Ilir Meta, ejani tek katundarët tanë, tek çunat tanë, tek ata që ju shërbejnë dhe që kanë qenë aty pa diskriminim, që dhanë shtëpitë e tërmetit dhe që ndërtuan shkollat e fëmijëve”,-deklaroi Veliaj.

SHKARKO APP