Veliaj dhe ambasadori japonez: Rrisim bashkëpunimin mes dy vendeve në 100 vjetorin e lidhjeve diplomatike
Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ambasadori e Japonisë, Takada Mitsuyuki vizituan Galerinë e Artit të Tiranës, ku është çelur ekspozita me fotografi nga Japonia për 100 vjetorin e marrëdhënieve të miqësisë së nisur në vitin 1922 mes dy vendeve. Veliaj tha se kjo ekspozitë personifikon marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Japonisë, në 100 vjetorin e lidhjeve diplomatike mes dy vendeve.
“Është unik për të mësuar, përmes fotografive, mbi jetën e përditshme në Japoni, sidomos për ta rrëfyer tek të rinjtë tanë, për të kuptuar se, edhe pse jemi larg, kemi të njëjtat ambicie, të njëjtat aspirata, duam të jetojmë në paqe, të punojmë me kreativitet; duam që nga fatkeqësia të prodhojmë një mundësi që i bën gjërat edhe më mire. Kjo ekspozitë është një mundësi fantastike për të rinjtë e Tiranës dhe vjen si një kontribut i ambasadës së Japonisë në Tiranë, është një dritare, jo e madhe, por e vogël, me rreth 100 foto, për të parë pak se sa të ngjashëm jemi”, pohoi Veliaj.
Më tej, kreu i Bashkisë ftoi të gjithë të rinjtë shqiptarë që të shohin nga afër këtë ekspozitë me foto për të njohur më mirë Japoninë.
“Kjo ekspozitë është si një Japoni e vogël, një kopësht japonez, ku besoj një i ri i Tiranës mund të kalojë një orë të mirë, ndaj deri të martën kur do të jetë hapur, dua të ftoj këdo që do të ketë një shije të vogël Japonie, mu në zemër të Tiranës. Shumë faleminderit ambasadës, “Fuji Film”, “Kiko”, të gjithë atyre që kontribuan, që të kemi në këtë vit, si Kryeqyteti Evropian i Rinisë, jo vetëm marrëdhënie me të ngjashmit tanë në Evropë, por marrëdhënie me të ngjashmit tanë deri në Japoninë e largët”, tha Veliaj.
Ambasadori i Japonisë në Tiranë, Takada Mitsuyuki falenderoi kryebashkiakun për pjesëmarrjen në ekspozitë, teksa theksoi se mezi pret që të rritet më shumë bashkëpunimi mes dy vendeve.
“Shumë faleminderit kryebashkiakut për pjesëmarrjen në ekspozitën tonë të parë në këtë galeri të bukur, në Galerinë e Arteve të Tiranës. Jam shumë i lumtur kur shoh se shumë qytetarë shqiptarë po vijnë në këtë galeri për ta vizituar këtë ekspozitë dhe uroj që ata ta njohin më mirë natyrën japoneze, kulturën, mënyrat e jetesës dhe do të dëshiroja që të kenë mundësi të vizitojnë Japoninë, pasi të qetësohet situata nga Covid. Pres që ne të rrisim bashkëpunimin tonë dypalësh mes qytetarëve të dy vendeve tona. E vlerësoj shumë, faleminderit!”, përfundoi ambasadori.