Veliaj dhe Imzot Arjan Dodaj shërbejnë drekën festive për njerëzit në nevojë: Mirënjohës për këdo që solidarizohet 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Imzot Arjan Dodaj shërbyen një drekë festive, bashkë me misionin e Caritas-it në Shqipëri, për njerëzit në nevojë. Veliaj vlerësoi punën e organizatës humanitare, e cila iu gjendet pranë njerëzve që e kanë më shumë së kushdo të nevojshme një solidaritet të tillë, ndërsa bëri thirrje që edhe të tjera shoqata apo njerëz, që kanë mundësi, të ndjekin një shembull të tillë, sidomos në këto ditë festash.

“Jam shumë mirënjohës për të gjithë çunat dhe gocat e Caritas-it. Bëjnë një punë fantastike, jo vetëm në Tiranë, por në çdo cep të Shqipërisë. Na e keni mbushur zemrën sot! E vlerësojmë jashtë mase kontributin tuaj. Ndoshta, ju nuk e kuptoni, se ngarkohenj çdo ditë me punë, por fakti që unë dhe Monsinjori ulemi në një tavolinë ku njerëzit flasin vetëm me mirënjohje për punën tuaj, ne jemi vërtet mirënjohës. Ju dhëntë Perëndia shumë fuqi, shumë kurajë, shumë nerva të forta, siç themi ne shqiptarët, sepse është një punë vërtet e bekuar, edhe na e bën edhe punën tonë, si në shërbim civil, ashtu edhe në shërbim të besimit, pak më të lehtë kur e dimë që e kemi një ushtri të veshur me të kuqe, që është atje në terren për të ndihmuar këdo në nevojë,” u shpreh Veliaj.

Imzot Arjan Dodaj tha se bashkëpunime të tilla janë ato që i duhen shoqërisë sot. “Veprat e dashurisë janë shumë të bukura kur janë të prekshme, si sot, ashtu si dhe ky bashkëpunim i Caritas-it me institucionet shtetërore, konkretisht me pushtetin lokal, kështu që edhe me zotin kryetar dhe bashkëpunëtorët e tij është një gërshetim i bukur, që ka nevojë të jetë një risi edhe për kontekstin tonë, sepse kemi nevojë për atë termostatin shpirtëror, që i jep gjesteve tona vlera. Përndryshe janë gjeste që përndryshe vdesin në vetvete. Kështu që, sot mendoj se ky termostat po fillon të ndihet më shumë. Faleminderit edhe ty zoti kryetar,” u shpreh ai.

SHKARKO APP