Veliaj dhe Klosi në Rrogozhinë: Garën nuk e kemi me kundërshtarët, por me veten
Në zgjedhjet që Partia Socialiste po kryen për kryetaret e rinj në 61 bashkitë e vendit, Rrogozhina garon me 4 kandidatë: Lutfi Ali Kashari, Erind Tosku, Mimoza Bidaj dhe Olsi Dranga. Gjatë prezantimit të tyre të parë publik, në nisje të fushatës për krerët lokalë të partisë, drejtuesi politik i PS per Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ka deklaruar se Partia Socialiste po shenjon një kapitull të ri edhe në mënyrën e riorganizimit të bërthamës së kësaj force politike.
“Sot merr një vëmendje të jashtëzakonshme zgjedhja e atyre që do të drejtojnë Partinë Socialiste në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës dhe të Shqipërisë, jo vetëm sepse familja jonë politike drejton vendin, por edhe sepse zgjedhjet në PS shënojnë një erë krejt tjetër civilizimi e qytetarie. Një nga arsyet pse edhe njerëz që nuk janë anëtarë të partisë sonë tregojnë kaq shumë kuriozitet, është sepse e dinë që nga Partia Socialiste do të dalë deputeti që do i përfaqësojë në Parlament dhe do votojë qeverinë që do të drejtojë Shqipërinë. Nga PS do të dalë kandidati për kryetar Bashkie, do të dalin edhe anëtarët e Këshillit Bashkiak, që do kenë shumicën e drejtimin e qytetit, ndaj edhe zgjedhjet e partisë sonë kanë një veçori dhe kanë një vëmendje të jashtëzakonshme, që nuk e ka asnjë forcë tjetër”,-u shpreh Veliaj.
Nga ana tjetër, ai tha se Partia Socialiste nuk duhet të krahasohet sot me ata që ka përballë, të cilët përfaqësohen nga figurat më të diskretituara në historinë politike shqiptare.
“U bë disa palë zgjedhje që fitojmë dhe ndonjëherë rreziku më i madh është të kënaqesh nga vetja jote, të ulësh vigjilencën, të ulësh shpirtin e garës dhe të mendosh se meqë kundërshtarët që kemi përballë i kemi të dobët, nuk ka asnjë arsye pse duhet të stërvitemi për ndeshjen e ardhshme. Ka shumë njerëz që thonë: “Përpara do keni dy figurat më të diskretituara të Shqipërisë, Sali Berishën dhe Ilir Metën, dhe nëse vijnë veç e veç apo të dy bashkë, nuk është se sjellin ndonjë shpresë”, por unë besoj se është gabim fatal nëse ne krahasohemi me të tjerët, që janë niveli më i ulët i politikës. Të jesh më i mirë se ata është gjëja më e thjeshtë në botë. Mjafton të mos shash dhe të mos e djegësh vendin tënd. Kjo është një gjë që mund ta bëjë kushdo. Çështja është a mund të jemi më të mirë se vetja jonë, më të mirë se kundërshtarët?! Ndaj, edhe shpresa ime është shumë e madhe që, nga i gjithë ky proces, do kemi mundësi që jo vetëm të kemi një kryetar partie dinjitoz, që e çon një nivel akoma më lart partinë tonë, por të kemi edhe një skuadër që nuk mjaftohet vetëm te kryetari, apo kryetarja”,– tha më tej drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës.
Sekretari Organizativ i PS, Blendi Klosi u shpreh se Partia Socialiste ristrukturohet sot për t’u përgatitur jo vetëm për garën e ardhshme elektorale, por edhe për të fituar mandatin e katërt qeverisës.
“Ne kemi nevojë që të gjithë njerëzit te kuptojnë se kush do të jetë kryetari i ri i Partisë Socialiste, për të bërë diferencën e madhe me kundërshtarët tanë politikë. Në më pak se 365 dite ne do të jemi në garë elektorale, ndaj kemi shumë nevojë që sot të dimë se si do shkojmë në zgjedhje pas një viti. Sot të strukturohemi më së miri, si një strukturë e fortë e Partisë Socialiste. Sot duhet të fillojmë të mendojmë për këto biseda që bëmë për të rinjtë, për gratë, për rrjetet sociale, për harmonizimin e brezave, për të ndërtuar strukturën tonë elektorale që të jemi fitues, jo vetëm në garën e ardhshme elektorale, po të krijojmë një platformë të fortë për të fituar mandatin e katërt qeverisës”,-tha Klosi.