Veliaj dhe Kodheli përurojnë urën e re pas përmbytjeve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Ministrja e Mbrojtjes përurojnë ndërtimin e urës në fshatin Qeha, në Petrelë, pas përmbytjeve

Nga sot, 1500 banorë të bllokuar në fshatin Qeha, të Njësisë Administrative Petrelë, do të qarkullojnë normalisht pas ndërhyrjes nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Mbrojtjes për ndërtimin e urës së prishur pas përmbytjeve të ditëve të fundit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, inspektuan punën e bërë nga ushtria shqiptare, në bashkëpunim me bashkinë, për të riparuar dëmet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut.

“Më vjen mirë që për 1500 banorë të zonës, fillimi i vitit vjen me një zgjidhje të re për këtë situatë. Ura lidh 4 fshatra me pjesën tjetër të Tiranës nga marrin shërbimet, shkohet në shkollë dhe te mjeku. Besoj se nuk ka mënyrë më të mirë për të filluar këtë vit për 1500 familjet e këtyre fshatrave”, u shpreh Veliaj, duke falenderuar ushtrinë shqiptare për ndërhyrjen.

“Në fillim të këtij viti, patëm disa shembje urash në zonat rurale të Tiranës dhe i jam shumë mirënjohës ushtrisë shqiptare, e cila ka qenë në krye të punëve dhe më vjen mirë që kryeqyteti ka qenë përfituesi kryesor i ndërhyrjeve të emergjencës”, tha Veliaj. Ai u shpreh ura në fshatin Qeha është shkatërruar jo vetëm prej përmbytjeve, por edhe prej masakrës urbane që është bërë nga gërryerja e shtretërve të lumenjve dhe këmbëve të urave, pa menduar për dëmin e shkaktuar.

Ai falenderoi ministren e Mbrojtjes dhe ushtrinë shqiptare për kontributin e dhënë mbi përballimin e pasojave të përmbytjeve nga reshjet e mëdha të shiut.

“Bashkia e Tiranës, por edhe bashkitë e tjera, ndoshta të papërgatitura për përballimin e situatave të këtyre përmasave, në kushtet e një sjellje ekstreme të natyrës, gjetën mbështetje te ushtria shqiptare dhe u jam shumë mirënjohës kolegëve edhe miqve të ushtrisë”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se me shiun e parë të vitit patëm dëme në urën e Zall-Bastarit, si dhe në disa zona të malësisë së Tiranës, apo në Mullet dhe Petrelë.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës.

“Ndarja e re administrative dhe bashkëpunimi me pushtetin lokal po jep frytet e veta. Suksesi qëndron te ky bashkëpunim. Bashkëpunimi i Forcave të Armatosura në këtë rast, sidomos me Bashkinë e Tiranës, filloi herët. Bashkërisht kemi bërë pastrime masive, e kemi qenë pranë qytetarëve edhe në rastet e përmbytjeve”, tha Kodheli.

Ministrja e Mbrojtjes garantoi shfrytëzimin e të gjitha burimeve të qeverisë për të përballuar emergjencat në vend.

“Forcat e Armatosura janë të parat që i përgjigjen kërkesës së emergjencës civile dhe do të vazhdojë të jetë kështu, sigurisht pasi të jenë shfrytëzuar të gjitha burimete e tjera civile që ka qeveria. Por, fakti që vetëm në Bashkinë e Tiranës janë ndërtuar 3 ura (Zall-Bastar, Qeha dhe Ferraj), tregon për punën e jashtëzakonshme të bërë natën dhe ditën në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Kodheli, duke falënderuar të gjithë ata që kanë punuar në kushte të vështira në shërbim të qytetarëve.

SHKARKO APP