Veliaj: Do hapim një muze me tunelet nëntokësore të Tiranës

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë çeljes së aktivitetit sot për anëtarësimin në NATO tha se hyrja në këtë organizëm ka qenë një eveniment mjaft i rëndësishëm i historisë së vendit tonë.

“Sot ne mendojmë për integrimin e plotë në Bashkimin Europian. Sot ne kujtojmë rrugën që kemi ecur për t’u integruar plotësisht në NATO”, tha Veliaj, i cili njoftoi se shumë shpejt do të mbahet edhe asambleja parlamentare e NATO-s në vendin tonë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha gjithashtu se në këto 7 vite janë rritur breza të cilët nuk mund të kuptojnë butaforzimin anti-NATO që mbartte politika jonë e para viteve 90’.

“Unë kam qenë mjaft i vogël, por më kujtohet qartë se si parakalonin Forcat e Armatosura shqiptare në këtë shesh për t’i treguar NATO-s, që nuk duhej ngatërruar me ne, pasi Shqipëria ishte një mburojë e pastër anti-NATO”, tha Veliaj.

Ai gjithashtu sqaroi se në kuadër të kësaj historie, e cila tregon një realitet tërësisht tjetër nga ai që është sot, “kemi vendosur hapjen e një muzeu me tunelet nëntokësore që ka sot në nëndheun e Tiranës, muze i cili do të nisë tek bunkeri i ngritur në krah të Ministrisë së Brendshme, për të kujtuar se si Shqipëria kaloi nga një vend anti-NATO, në një vend anëtarë të NATO-s dhe dëshirën e plotë për integrimin e plotë në Bashkimin Europian”.

SHKARKO APP