Veliaj: Do të punojmë për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur

 

Rikonstruktimi i rrugëve, ndërtimi i një shkolle të re dhe pastrimi i plotë i Lumit të Lanës, ishin premtimet që Erion Veliaj, kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, u bëri sot pasdite banorëve të Njësisë nr.5 në Tiranë. Duke theksuar se kjo njësi është një nga zonat më të degraduara në kryeqytet, për shkak se është lënë pas dore nga Bashkia e Tiranës në 4 vitet e fundit, janë identifikuar gjithsej 473 probleme, që nga rrugët e degraduara, mungesa e pastrimit, shkollave, kopshteve dhe çerdheve apo probleme me transportin publik.

“Nuk është metaforë që të jesh kandidat i SHQUP-it, kandidati i Lulit dhe i Saliut në Njësinë 5 duhet të jetë në siklet shumë të madh, sepse 473 probleme nuk lindën në një ditë, por lindën në 4 vjet nga një neglizhencë totale për njësinë më të populluar”, deklaroi Veliaj. Ai solli në vëmendje se platforma e të djathtës është që të merren me politikën e madhe, ndërsa platforma e së majtës është një program për çdo njësi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës sqaroi se grupi i urbanistëve në stafin e tij kanë vërejtur  321 probleme për çështje të infrastrukturës rrugore. Duke e konsideruar si kapitullin më problematik që njerëzit duan ndërhyrje emergjente, Veliaj theksoi se janë identifikuar 183 rrugë të amortizuara dhe me gropa. “Janë  79 trotuare të dëmtuara dhe të amortizuara. 39 puseta që mungojnë në mes të rrugës, a thua se është një rrugë e minuar si në Luftën e Dytë Botërore. 17 rrugë ku mungon tërësisht ndriçimi, ku po të jesh fëmijë, vajzë apo grua, jeta mbaron sa perëndon dielli”, nënvizoi Veliaj, duke shtuar se këto probleme do të gjejnë zgjidhje menjëherë pas marrjes së drejtimit të Bashkisë së re të Tiranës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ai theksoi se në Njësinë nr.5 ka një energji pozitive jo vetëm për fitoren më 21 qershor, por edhe për punët e mbara që do bëhen në të gjithë Tiranën për ta çuar kryeqytetin në drejtimin e duhur.“Dua t’ju siguroj të gjithëve se do ta çoj Tiranën në drejtimin e duhur, do të punojmë njësoj edhe për doktor Halimin, edhe për rrugën e shkatërruar para shtëpisë së tij, edhe për sheshin e rrënuar para shtëpisë së tij, edhe për plehrat që nuk mblidhen para shtëpisë së tij, edhe për qentë që rrinë para shtëpisë së tij. Duhet të jetë e sikletshme të jesh kandidat i Saliut në Tiranë, por duhet të jetë 10-fish më e sikletshme kur je edhe kandidat i Saliut, edhe banor i Njësisë 5, e cila ka degjeneruar më shumë se çdo njësi tjetër në 4 vitet e fundit”, deklaroi Veliaj.

Ai u shpreh se përveç ndërhyrjes në rrugë, ndriçimin dhe rregullimin e pusetave, do të ndërhyhet edhe për pastrimin e plotë dhe të vazhdueshëm të Lanës, ndërtimin e një çerdheje të re, një kopshti të integruar me çerdhe të re dhe një shkolle të re, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës në shkollat 9-vjeçare “26 Nëntori”, “Dëshmorët e Lirisë” dhe “Emin Duraku”.

Kandidati i koalicionit të majtë për Tiranën, në vijim të shpalosjes së programit të tij, tha se në total në Njësinë 5 janë identifikuar 45 probleme me Higjienën e Sigurinë Ushqimore, 5 lokalitete ku ka probleme me kafshët e rrugës, 29 hapësira ku nuk pastrohen mbeturinat në mënyrë të rregullt dhe 11 tregje jashtë standardeve minimale higjieno -sanitare.

Për kandidatin e majtë, në një zonë me mbi 100 mijë banor si Njësia 5, ku shkollat punojnë me dy turne, është e pamjaftueshme që fluksi i nxënësve të përballohet nga dy gjimnazet “Besnik Sykja” dhe “Petro Nini Luarasi”. Gjithashtu, ai e konsideroi si një situatë të patolerueshme që vetëm dy çerdhe të përballojnë fluksin e banore në këtë zonë, ku shumica janë familje të reja. “Propozimi ynë është që të kemi një çerdhe të re, një kopësht të integruar me çerdhe dhe një shkollë të re të mesme brenda mandatit tonë për Njësinë nr.5”, premtoi Veliaj. Më tej, kandidati i koalicionit të majtë vlerësoi se kjo zonë ka nevojë gjithashtu për një bibliotekë. “Kemi marrë një vendim që një nga 5 bibliotekat e resja të Tiranës të jetë në Njësinë 5, e cila është zona që ka numrin më të madh të studentëve”, deklaroi Veliaj, duke nënvizuar se kjo njësi ka nevojë edhe për një Qendër Shëndetësore.

I pranishëm në prezantimin e programit për Njësinë nr.5 ishte edhe deputeti i PS, Pandeli Majko, i cili tha se në 4 vitet që lamë pas Tirana ka degraduar shumë. “U bë hera e dytë që na bie shi, por të vjetrit thonë se ai që vjen me shi, vjen me bereqet. E në fakt, Njësia 5 ka qenë, është e do të jetë hambari i bereqetit të zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Ne kemi një kandidat që kërkon të ballafaqohet, ndërsa pala tjetër ka një kandidat i cili mendon se duke mos u ballafaquar, por duke çukitur në takimet që i organizon partia, është i gatshëm të drejtojë nga zyra një bashki me 1 milion banorë. Por, gjërat nuk mund të funksionojnë kështu”, tha Majko. 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?