Veliaj: Është për të ardhur turp që kandidatët e PD, përdorin racizma për të ardhurit në Tiranë

Në takimin me të rinjtë e Njësisë 1, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se nuk i kupton deklaratat fyese dhe racizmat për të ardhurit në Tiranë. Ai tha se vetëm duke e lënë mënjanë këtë gjuhë fyese, mund të ecet përpara.

“Jemi në vitin 2022 dhe nuk më besohet ende që këta që po garojnë për Bashkinë e Tiranës, kanë si argument të parë fjalinë: Shiko, se ne nuk jemi të ardhur!

Unë jam krenar që prindërit e mi kanë ardhur nga Berati dhe Vlora, që e kanë filluar jetën e tyre me sakrifica, na kanë rritur me vështirësi. Po ç’është kjo kulturë në 2022? E kuptoj, kjo thuhej në vitet ‘89-‘90, po si mund të bëhet ende ky debat racist? 92% e njerëzve që jetojnë në Tiranë janë të ardhur.

Ne jemi më të vegjël se shteti më i vogël i SHBA dhe për një vend kaq të vogël t’i thuash tjetrit ‘je i ardhur’, ‘je konviktor’, ‘ne nuk jemi ardhacakë’, do të thotë se kemi nevojë për shumë punë për të bërë me shoqërinë. Puna është të fitojmë mendjet dhe zemrat e njerëzve sepse po të emancipohemi dhe të lëmë menjanë këto racizma, mund të kemi një shoqëri që është shumë herë më e fortë”, tha Veliaj.

SHKARKO APP