Veliaj: Hungaria, vend mik historik i Shqipërisë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj dhe presidenti i Hungarisë, Janos Ader inauguruan pllakatën e heroit hungarez, Janos Huniad e vendosur pranë sheshit Skënderbej.

Veliaj deklaroi në fjalën e mbajtur se pllakata për udhëheqësin hungarez që luftoi osmanët krah Skënderbeut është një detyrim ndaj një populli mik.

“Unë vij nga një brez që nuk mund të kaloje klasën nëse nuk mësoje për lidhjen e fortë mes Skënderbeut dhe Huniadit të Hungarisë. Nuk ka pasur moment në historinë e Skënderbeut ku të mos përmendej Janosh Huniadi, një shtetar i madh dhe mik i Skënderbeut e shqiptarëve. Përtej ideve romantike të fëmijërisë, Huniadi është një figurë e madhe jo vetëm për hungarezët por edhe për shqiptarët. Një figurë që shënjon njëherë e përgjithmonë marrëdhëniet e shkëlqyera mes popujve tanë. Një miqësi që daton qindra vjet më parë. Historia e marrëdhënieve tona diplomatike shënon sot vitin e saj të 94-t”, tha Veliaj.

Më tej, ai nënvizoi nivelin mjaft të kënaqshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Hungarisë. Veliaj tha se objekltivat janë që të shtohen sipërmarrjet hungareze në Tiranë.

“Hungaria është një vend mik që na ka mbështetur pa rezerva në të gjitha hapat tona të integrimit. Ne në Tiranë jemi mirënjohës sepse Hungaria ishte vendi i parë që ratifikoi anëtarësinë e Shqipërisë në NATO dhe na ka mbështetur vijimësisht në rrugën për integrimin në BE. Presim që sipërmarrjet hungareze në vendin tonë të marrin një hov të madh”, tha më tej Veliaj.

SHKARKO APP