Veliaj i vendosur ndaj Dukës: Po luftoj që fëmijët të ndjekin ëndrrat e tyre
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj shprehet i vendosur për të vijuar betejën për të rikthyer legjitimitetin në zgjedhjet për Shoqatën e Tiranës. Në një intervistë për Report tv, Veliaj deklaroi se prindërit e fëmijëve e kanë besuar si kryebashkiat që të vegjlit luajnë futboll dhe ëndrrat e tyre të mos shiten tek pularia e Shijakut.
“Më kanë zgjedhur prindërit e këtyre fëmijëve që shkojnë të luajnë futboll dhe për hir të tyre do luftoj. Më kanë zgjedhur nënat e baballarët e këtyre që luajnë futboll dhe duan që ëndrra e fëmijës të mos shitet tek pularia e Shijakut. Unë për këta që më kanë zgjedhur do luftoj. Frymëzimi dhe jo kërcënimi na vjen nga UEFA e FIFA, se vetë ata kaluan në këtë vetë vetëpastrim. Kujto Vilarin e Spanjës, mendonte që ishte i paprekshëm, ai ishte me keq se Duka . Ai kishte 30 vjet, e mbylli me turp. Këtu pyetja nuk është për mua, këtu pyetja është për Dukën. Do ta mbyllësh me turp, se do ta mbyllë, por do ta mbyllësh me turp apo do të thuash boll tani 6 mandate?! Lëri tani fëmijët të ëndërrojnë e të bëhen ata që duan të jenë”, deklaroi Veliaj.
Mediat kanë shkruar se prej dy javësh, një skuadër juristësh shqiptarë, amerikanë dhe britanikë po asistojnë aksionerin e Tiranës në një dosje voluminoze shkeljesh, për t’ia prezantuar FBI, DEA, NCA, Scotland Yard, SPAK, Prokurorisë së Tiranës, Krimit Ekonomik, Agjencisë së Pastrimit të Parave, AMA, Hetimit Tatimor, AKU, si dhe ambasadave Amerikane e Britanike në Tiranë. Çështjet e shitjeve ndërkombëtare të ndeshjeve dhe basteve të paracaktuara do t’i paraqiten oficerëve rajonalë të FBI. Kujtojmë se agjentët amerikanë çuan në rrëzimin e Blatter e Platini – miqtë “e pathyeshëm të Dukës”, që mbyllën me dënime penale karrierat e tyre!
Agjentët e DEA me qendër rajonale në Athinë, agjencia amerikane e antidrogës do të prezantohen me të gjitha provat e parave të drogës në sport, me dijeni e mbështetje të Armando Dukës me elementë të botës së krimit në Shijak e vende të tjera të Europës e Amerikës Latine.
Nuk mbetet pas dosja britanike, për të dhëna të burimeve dhe shpenzimeve të pajustifikuara të familjes Duka në blerje pronash, makinash luksoze e asetesh në shifra të jashtëzakonshme. Scotland Yard dhe NCA, që gjurmon posaçërisht pastrimin e parave nga subjektet e huaja në Britaninë e Madhe.