Veliaj inspekton Kombinatin: Shmangni trafikun dhe lumenjtë

 

Punonjësit e ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës vijojnë pastrimin e kanaleve kryesore të kullimit dhe të gjitha ndërhyrjet e nevojshme, për të përballuar reshjet e shiut të këtyre ditëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot pasdite i pranishëm në zonën e Kombinatit, për të parë nga afër punën që po bëhet nga ndërmarrjet e bashkisë dhe garantoi qytetarët se situata është nën kontroll.

“Janë zhbllokuar kanalet kryesore dhe këto dy ditë kemi përfituar nga hapja e përkohshme e kohës. Sërish do të ketë shira sot në darkë dhe nesër, por Kombinati ngryset sot shumë më mirë se dje, pardje, apo katër vitet e fundit, e besoj se kemi shmangur tragjeditë sa i përket reshjeve në Kombinat”, deklaroi Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se ka shumë familje që kanë ndërtuar edhe buzë kanalit kullues, ndaj ky është edhe një mësim për qytetarët.

“Nuk ndërtohet buzë një kanali kullues, i cili duhet të filtrojë ujërat për mijëra banorë. Ndoshta nuk ndiejnë dashuri për qytetin dhe shtetin, por të paktën duhet të ndiejnë dashuri për familjet e tyre”, tha Veliaj. Ai sqaroi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë punën edhe me kanalizimet e tjera për t’u siguruar që Kombinati është një zonë e sigurt përsa i përket përmbytjeve, ndërkohë që edhe të dielën ishte një ndër zonat më nevralgjike, pas rrugës “Don Bosko”.

Veliaj tha se ka pasur disa problematika të vogla në zonën e Farkës, apo në zonën e rrethinave kodrinore të Tiranës. “Duhet të kuptojmë se Tirana sot nuk është më 40 km katrorë, sa ishte para zgjedhjeve. Është 1 mijë km katrorë. Ndaj, vazhdoj t’i bëj thirrje qytetarëve, gjatë kohës së mbrëmjes, kur do të rifillojnë shirat, deri në mesnatë, të rrinë larg lumenjve dhe të minimizojnë trafikun. Besoj se çdo gjë, edhe këtu në Kombinat, është nën kontroll dhe jam shumë i kënaqur nga mënyra se si bashkia ka reaguar në kohë rekord”, tha ai.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës falenderoi të gjithë administratorët dhe punonjësit e shërbimeve që janë në krye të detyrës. “Kemi pasur dy turne me nga 700 punonjës në terren, për t’u siguruar se këto 24 orët e ardhshme, ne kemi njerëz në të gjithë territorin”, deklaroi Veliaj. Ai tha se bashkia është duke bërë riparimet në urën që lidh Zall-Dajtin me Zall-Bastarin, për t’u siguruar që asnjë qytetar që i është bashkuar Tiranës, tani 25 herë më e madhe, nuk ndihet i pavlerësuar dhe i pambrojtur nga Bashkia e Tiranës.

Në përfundim të fjalës së tij, Veliaj bëri të ditur se sot është zhvilluar një mbledhje me Bordin Këshillit Ekonomik të Tiranës, ku janë miratuar edhe investimet e reja. Sipas tij, një pjesë e madhe e investimeve do të jenë në ujësjellës-kanalizime, për t’u siguruar që të mos ndodhin më situata problematike.

SHKARKO APP