Veliaj: Kandidatët nuk dalin dot në publik me Berishën dhe Metën? Janë dy figurat më të diskretituara sot
Kreu i Partisë Socialiste në Tiranë, Erion Veliaj, nga Teatri Veror i Liqenit, gjatë prezantimit të kandidatëve të rinj për Këshillin Bashkiak, ironizoi edhe kandidatët kundërshtarë kur tha se nuk identifikohen dot me liderët e tyre, Sali Berishën dhe Ilir Metën, sepse e dinë që do të humbasin pikë në publik.
“Skuadra tjetër, qofshin kandidatët e Këshillit Bashkiak, qoftë kandidatët për Kryetar Bashkie, nuk dalin dot në publik me Sali Berishën dhe Ilir Metën? Kjo është një anomali shumë e madhe. Nuk dalin dot në publik me ata sepse sondazhet thonë që liderët e tyre janë më të diskredituarit sot. Nuk identifikohen dot me liderët e tyre sepse humbasin pikë, humbasin vota. Nuk identifikohen dot as me partitë e tyre. Imagjinoni pak listën e Sali Berishës: Të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak janë të Ilir Metës.
Pra, praktikisht kur thotë votoni për ne, në fakt po i çon si cjapi tek kasapi te partia tjetër. Ndërkohë, kur dikush voton PS-në, ka votuar për forcën më patriotike, ka votuar për forcën më perëndimore, ka votuar për forcën më transformuese të Tiranës e të qyteteve tona, ka votuar për njerëz që janë socialistë, pjesë e familjes sonë, pjesë e skuadrës sonë.
Jo të katapultuar nga dikush tjetër, jo për të fshehur personat “non grata”, jo për të zgjidhur hallet e tyre, por hallet, punët, pasionet, ëndrrat dhe projektet e Tiranës sonë. Kjo është skuadra jonë, kjo është familja jonë, ky është ekipi ynë, kjo është fitorja jonë”, tha Veliaj.