Veliaj: Kandidati i Saliut tapë që në 7 të mëngjesit. Metës dhe Berishës i duhen votat të shpëtojnë lëkurën e tyre

Nga Rrogozhina, ku prezantoi kandidatin e PS-së për kryetar Bashkie, Edison Memolla, në zgjedhjet e 6 Marsit, drejtuesi politik për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, ironizoi situatën në kampin opozitar. Ai u kërkoi demokratëve që të votojnë kandidatin Memolla, pasi alternativa e kampit tjetër është Ilir Meta dhe Sali Bersha, që po përpiqen të shpëtojnë lëkurën e tyre.

“Situata te Luli është serioze, po aspak dramatike. Jeta do vazhdojë. Situata te Saliu dhe te Iliri është dramatike, por nuk është aspak serioze. Mjafton të shikoni videot e tyre. E patë videon e kandidatit të Saliut? Dyst komplet, llucë që në 7 të mëngjesit. Në Rrogozhinë nuk na duhet një pijanec, por një punëtor si Edison Memolla. Ndaj, kush i thotë vetes demokrat dhe e jep votën për koalicionin e sherrit, ta dijë se Ilir Meta dhe Sali Berisha duan të shpëtojnë lëkurën e tyre, duan të shpëtojnë pasurinë e tyre, duan të shpëtojnë milionat e tyre. Nuk e kanë fare hallin te populli, se ndryshe do e kishit parë këtej rrotull. Saliu kishte 8 vite pa ardhur në Rrogozhinë, kujtoni se tani e mori malli për Rrogozhinën? I duhen votat, që të vazhdojë sherrin me Lulin. Ne na duhen votat që të vazhdojmë punën me Edi Ramën, me Partinë Socialiste, me Edisonin, Etjenin dhe të gjithë skuadrën tonë. Kjo është diferenca”, theksoi Veliaj.

Ai u shpreh se përfaqësuesit e opozitës nuk kanë zgjedhur ende kë logo të përdorin, ndërsa lëvizin me makina luksoze. “Ata vijnë me autobanda, me lukse, nuk e kanë ndarë ende mendjen se cilën logo do të përdorin. Vijnë këtu me Range Rover. Ne nuk jemi nga ata! Ne besojmë se zemra i flet zemrës, robi i flet robit, komshiu komshiut, kolegu kolegut, nxënësi nxënësit, miku mikut, kushëriri kushëririt, sepse ne besojmë paktin me njerëzit”, deklaroi Veliaj.

Drejtuesi politik i PS-së nënvizoi se edhe pyetësori i Këshillit Kombëtar, është një tjetër tregues i vëmendjes së qeverisë ndaj qytetareve. “Këshillimi Kombëtar është një mënyrë për të treguar se ai që do të qeverisë me popullin dhe për popullin, nuk e ul automatin 4 vjet. Apo si Saliu me Ilirin, kanë 8 vjet pa ardhur këtu, dhe befas kujtohen se paska dhe Rrogozhinë. Ai që qeveris me popullin dhe për popullin merr dhe jep idetë e popullit, energjinë e popullit dhe votën e popullit përditë. Ndaj, dhe Këshillimi Kombëtar është shumë i rëndësishëm që ta plotësojmë edhe këtu në Rrogozhinë”, tha Veliaj. Ai nënvizoi se Partia Socialiste është e vetmja parti që është në kontakt të përditshëm me njerëzit dhe shkëmben mendime me ta.

SHKARKO APP