Veliaj: “Kemi akomoduar mbi 150 familje, do vijojmë me të tjerat. 2021 do të jetë viti i ringritjes”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zgjodhi që darkën festive të Vitit të Ri ta kalojë pranë familjes së Hyqmet Kodrës në Zall Herr, e cila një javë më parë mori edhe çelësat e shtëpisë së re, të rindërtuar nga e para pas prishjes nga tërmeti. Bashkë me urimin për një vit të mbarë, Veliaj siguroi edhe familjet e tjera të prekura nga tërmeti se është vetëm çështje kohë sa të gjithë të prekurit të futen në banesat e tyre të reja. Veliaj theksoi se 2021 do të jetë viti i ringritjes. “Kemi akomoduar mbi 150 familje, por puna s’mbaron, nesër fillojmë prapë. Kemi bërë pafund shtëpi, por duhet të bëjmë pafund të tjera. Kemi bërë pafund shkolla, por duhet të bëjmë të tjera. Duhet ta kthejmë 2021 në një vit që edhe ekonomia lulëzon”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë u shpreh se ndryshe nga ata që ishin në pushtet dhe nuk bënë asnjë punë, kjo mazhorancë e ktheu çdo ditë në një punë konkrete. “Zoti na e jep një herë shansin në jetë për t’u bërë kryetar bashkie, për të drejtuar. Në momentin që shfrytëzon çdo ditë për punë konkrete, atëherë ke lënë një gjurmë. Kundërshtarëve tanë u është dhënë shansi, kanë drejtuar 4 vjet dhe s’kanë ndërtuar një shkollë, s’kanë bërë asnjë punë dhe nuk e kuptojnë që është një shans që të vjen një herë në jetë”, theksoi Veliaj. Kryefamiljari falenderoi kryebashkiakun dhe qeverinë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë që nga dita kur tërmeti i një viti më parë i prishi shtëpinë. Vetëm në Zall Herr javën që vjen fillon rindërtimi i 100 shtëpive të tjera, ndërsa nis puna edhe për lagjen e re me 48 shtëpi, si dhe rindërtimi i 2 shkollave të reja.

SHKARKO APP