Veliaj: Krenar për vajzat dhe gratë shqiptare që kanë suksese në botë
Kampionia botërore në sportin e Bodybuilding, Getta Beqa, u nderua me Medaljen e “Mirënjohja e Qytetit” nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në pritjen e organizuar për sportisten e njohur, Veliaj e falenderoi për suksesin e arritur dhe shtoi se është krenar për suksesin e të gjitha vajzave në sport.
“Getta është ambasadorja më e mirë e të gjithë shqiptarëve në bodybuilding. Fakti se sot je jo vetëm kampione e vendit, kampione e Ballkanit, por edhe kampione e Europës dhe e Botës, tregon se vajzat tona mund të bëjnë gjëra të mrekullueshme. Ne jemi shumë krenarë për ty, edhe për modelin që përçon! Ka shumë sportistë të mirë që nuk janë doemos modele të mira. Ndaj, të jam vërtet mirënjohës, se na ke nderuar kaq shumë dhe në shenjë të kësaj mirënjohje, dua të të dhuroj medaljen e Mirënjohjes, që u jepet personaliteteve që na kanë ngritur kokën lart. Mezi pres datën 29 janar, kur ne do të kemi ceremoninë përmbyllëse të Tiranës si “Qyteti Evropian i Sportit”, titull që tani, këtë vit do ta vazhdojë Vlora dhe Prishtina, dhe me shpresë do frymëzohen shumë qytete të tjera shqiptare, të inkurajojnë sportistët elitarë, por edhe sportin në komunitet”, u shpreh Veliaj.
Nga ana tjetër, Getta Beqa, kampionia me origjinë shqiptare e kampionatit botëror të Bodybuilding, falenderoi Bashkinë e Tiranës për gjithë mbështetjen që i jep sportit shqiptar.