Veliaj: Kryebashkiakët e Kavajës dhe Vorës janë përgjigjur vetë. Saliu dhe Iliri kanë halle të mëdha
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka nxjerr bllof opozitën, duke hedhur poshtë me fakte të gjitha akuzat e ngritura prej saj në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Në intervistën në ”Real Story”, ai ka shpjeguar se opozita gënjen qëllimisht kur e akuzon se Veliaj ka firmosur në emër të Qarkut të Tiranës për inceneratorin. Veliaj sqaroi se ai ka firmosur vetëm për Bashkinë e Tiranës, kurse kryebashkiakët e Vorës, Kavajës, Rrogozhinës janë përgjigjur më vete.
“Gënjeshtra konkrete [e opozitës] është se paskam firmosur në emër të Qarkut të Tiranës. Kjo është logoja e Bashkisë së Tiranës, është firmosur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, kurse letra thotë: “…shprehemi parimisht dakord, përsa i përket rolit të kësaj bashkie në studimin e fizibilitetit”. Pra, shprehemi parimisht dakord që t’ju themi sa mbetje prodhon Tirana, kur është sezoni i këtyre mbetjeve, në verë ka më pak mbetje se një pjesë e madhe e qytetarëve janë me pushime. Kontributi ynë në këtë proces ka qenë për të dhënë të gjithë informacionin transparent për sa mbetje prodhohet në Bashkinë e Tiranës. Në këtë sens, e gjithë legjenda urbane që është ndërtuar mbi faktin se jam përgjigjur në emër të gjithë Qarkut, bie poshtë. Është përgjigjur vetë kryetari i bashkisë së Vorës, është përgjigjur vetë kryetari bashkisë së Kavajës”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se ky fakt u provua qartë edhe në komisionin parlamentar hetimor, kur e vërteta doli qartazi. Ai theksoi se halli personal i Sali Berishës dhe i Ilir Metës nuk janë halli i Tiranës.