Veliaj: Më shumë fëmijë drejt familjeve kujdestare, më pak në institucione

Në 25-vjetorin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, zhvilloi sot një dëgjesë me fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” në Tiranë, ku edhe iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre. I shoqëruar edhe nga zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, Veliaj u shpjegoi fëmijëve buxhetin e dikasterit që ai drejton për vitin 2015, duke u fokusuar veçanërisht te çështjet e tyre.

“Ne besojmë se s’duhet të vazhdojmë më me institucione si shtëpitë e fëmijës. Ne besojmë se familja është institucioni më i rëndësishëm dhe vitin tjetër nisim një projekt pilot, i cili synon që më shumë fëmijë të shkojnë drejt familjeve kujdestare dhe më pak të qëndrojnë në institucione”, tha ministri Veliaj. Sipas tij, ky projekt ka për qëllim të ndihmojë jo vetëm fëmijët, por edhe familjet që do të pranojnë të kthehen në familje kujdestare. “Sado të bukura të jenë institucionet, ato mbeten institucione dhe jo familje. Ne besojmë se kjo është mënyra më njerëzore për të trajtuar çështjet e fëmijëve në institucionet tona të kujdesit dhe shtëpitë e fëmijës”, shtoi gjithashtu ai. Ministri Veliaj tha edhe se me buxhetin e ri do të shpenzohen më shumë para për fuqizimin e organizatave që ndihmojnë me fëmijët në situatë rruge.

“Unë e di se në Shqipëri ka shumë njerëz që bezdisen nga fëmijët e rrugës kur ndalojnë në semafor. Por largimi i tyre nga rruga është një proces i ndërlikuar dhe i vështirë, i cili nuk zgjidhet duke arrestuar apo hequr prindërimin. Këta fëmijë duhen ndihmuar duke i mbajtur në një ambient social ditor dhe prindërve të tyre duhet t’u gjendet një punë”, shtoi ai. Gjatë bisedës me fëmijët, ministri Veliaj tha se ky do të jetë viti i parë kur familjeve me ndihmë ekonomike do t’u jepet një shumë prej 35 dollarësh shtesë për çdo fëmijë që ndjek shkollën dhe që vaksinohet. “Një nga arsyet pse familjet e varfra mbeten gjithmonë të tilla është sepse fëmijët sëmuren shpesh dhe nuk shkojnë në shkollë, e duke mos shkuar në shkollë nuk gjejnë dot punë dhe përfundojnë përsëri me ndihmë ekonomike”, tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.

SHKARKO APP