Veliaj: Menaxhuam më mirë situatën, në 2014 nuk zhbllokohej dot as sheshi “Skënderbej”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa krahasoi menaxhimin e situatës gjatë këtij viti dhe atij 2014, tha se pavarësisht se pati më shumë përmbytje, situata tani u menaxhua më mirë. Në një intervistë të dhënë për emisionin “Njerëz në fokus” në televizionin “News 24”, Veliaj bëri një krahasim të përballimit të situatës së përmbytjeve gjatë dy viteve të fundit.

 Me 50% më shumë reshje krahasuar me 2014 ne e menaxhuam më mirë situatën. Në 2014 nuk zhbllokohej dot as sheshi “Skënderbej”. Me një logjikë të thjeshtë kuptohet kush i rri punës tek koka dhe kush nuk e bën. Këta janë të njëjtit njerëz, thjesht ka një stil menaxhimi ndryshe. Më parë vetë Bashkia rrethohej me ujë. Ne kemi një bazë të dhënash të të gjitha rrugëve që janë impaktuar. Kjo është një tabelë ku do të fokusojmë investimet”, tha Veliaj. Sipas tij, një pjesë të investimeve do të shkojnë padyshim në lumin e Lanës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se fokusi më i madh do të jetë në fillimin e lumit të Tiranës, pasi aty mblidhen të gjitha prurjet, që vijojnë më pas me prurjet urbane.

 I pyetur mbi shkaqet e përmbytjes së Tiranës, Veliaj iu përgjigj duke theksuar se ato ndodhin tipikisht buzë lumenjve, buzë përrenjve, në zona kodrinore prej shtufi. “Bëhet fjalë për ndërtime informale që kanë ndërtuar në zona ku nuk duhet të ndërtohej. Problematika që ne kemi sot është që nuk mund të përballojmë dot kosto të tilla. Shteti nuk mund të sillet si dado. Ndërtuan në kodër shtufi pa pikë studimi. Shumë njerëz që kanë rënë pre e këtyre mashtrimeve, vuajnë pasojat”, tha Veliaj. Sipas tij, me shëndoshjen e financave të bashkisë, do t’u vihet në ndihmë këtyre familjeve.

SHKARKO APP