Veliaj: “Në 18 tetor një tjetër ditë pa makina, ku Tirana do mund të marrë frymë lirisht nga ndotja”

 

 

Individët ose organizatat vullnetare që duan t’i bashkohen javës së solidataritetit, e cila do të kulmojë në 18 tetor me organizimin e Ditës pa makina në qendër të Tiranës, mund të kontribuojnë përmes dhurimit të sendeve, ushqimeve apo disa orë vullnetarizmi në institucionet tona të kujdesit social. Në një takim të zhvilluar sot pasdite me organizatat rinore dhe drejtues të shoqatave, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se duke dhuruar diçka për njerëzit në nevojë apo duke ofruar pak kohë nga dita jonë, është mënyra më e mirë për të përkujtuar veprën e Nënë Terezës.

“Tirana Dhuron është një nismë e dobishme për institucionet tona sociale, ku gjithsecili prej nesh mund të dhurojë veshmbathje, aparatura elektronike etj, njësoj si për nismën “Adopto një çerdhe”, ku biznese apo individë u ofruan duke lyer apo suvatuar godinat, ose duke dhuruar lodra, ngrohëse etj për fëmijët e vegjël”, tha Veliaj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës shprehu besimin se, edhe për ata që nuk kanë mundësi të dhruojnë diçka, është po aq e rëndësishme të japin disa orë vullnetarizmi në shtëpinë e të moshuarve ose në shtëpinë e fëmijës.

“Ne kemi kombinuar nismën Tirana Dhuron dhe Ditën pa makina në datën 18 tetor. Atë ditë e gjithë qendra e Tiranës, ashtu siç bëmë në shtator, do të jetë e papërdorshme për automjetet. Rezultatin e dimë të gjithë: Ndotja e mjedisit ra ndjeshëm dhe Tirana mori frymë lirisht”, deklaroi Veliaj. Ai sqaroi se aktivitetet kryesore në këtë ditë do të kenë fokus çështjet e bamirësisë.

Më tej, Veliaj u kërkoi të gjithë qytetarëve që të dalin të dielën nga shtëpia, bashkë me një qese apo çantë, që do të dhurojnë diçka duke i dorëzuar në pikat e grumbullimit të dhurimeve, që janë vendosur në rrugët kryesore të qytetit. “Të hënën, që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, do të kërkojmë që të gjithë vullnetarët të vendosen në të gjitha qendrat sociale, çerdhet, institucionet, ku ne trajtojmë rastet sociale, nëpër lagjet e komunitetit rom, te qendra jonë e emergjencave, ku shumë prej banorëve janë vendosur aty, për t’i akomoduar në një ambient shumë më komod se sa Liqeni i Tiranës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku kërkoi nga grupet rinore dhe shoqatat që të përkujtojnë Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës përmes veprave konkrete bamirësie. “Në datën 18 do të finalizojmë të gjitha kontributet e dhurimit kurse në datën 19, të themi se kontributi i Tiranës nuk erdhi me ceremoni dhe fjalime, por duke bërë atë që do bënte çdo pasardhës i denjë i Nënë Terezës”, përfundoi Veliaj. Aktualisht në Tiranë janë vendosur 12 pika dhurimi që ndodhen në rrugët kryesore të qytetit, ku shumë aktivistë presin gjatë 24 orëve kontribute të ndryshme që më pas u shpërndahen familjeve në nevojë.

SHKARKO APP