Veliaj në Athinë, pritet nga kreu i bashkisë: Sfidat tona janë të përbashkëta
I ftuar në Athinë në kuadër të një simpoziumi të organizuar prej ish-kryeministrit George Papandreu, kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj zhvilloi një takim me homologun e tij, kryetarin e bashkisë së Athinës, Kosta Bakojani.
Sfidat e përbashkëta në të ardhmen, ishte kryeradha e bisedimeve. Të dy kryetarët shprehën bindjen se e ardhmja u përket të rinjve, ndaj së bashku vendosën të punojnë në projekte të përbashkëta.
“Tirana do të jetë vitin e ardhshëm kryeqyteti rinor europian, ndaj vendosëm së bashku me kolegun Kostas të nisim programe të përbashkëta me qëllim njohjen e të rinjve tanë mes tyre. Të këmbejmë eksperienca dhe vizita. Sepse unë besoj se kur brezat bashkëpunojnë, atëherë e ardhmja është më e mirë për të gjithë”,-theksoi Veliaj. Jashtë vëmendjes nuk mbetën edhe çështje që preokupojnë të emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe programet integruese të tyre ne jetën e përditshme greke.
Veliaj theksoi shkallën e lartë të integrimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Së bashku me kryetarin Bakojanis, po punojmë për tu mundësuar edhe ngritjen e qendrës kulturore shqiptare në Athinë. Edhe kryetari i bashkisë së Athinës Kostas Bakojanis përshëndeti punën që po bëhet nga institucioni i bashkisë në Tiranë. Ai theksoi se të dy vendet kanë sfida të përbashkëta në të ardhmen,ndaj duhet bashkëpunuar për të dhenë brezave të ardhshëm mundësinë për një të ardhme të sigurt.
“Prita me kënaqësi të madhe kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe mikun tim Erjon Veliaj. Isha para pak ditësh atje dhe tani, shumë shpejt u ritakuam. Do të vazhdojmë shumë shpejt, që këtë vjeshtë, bashkëpunimin mes dy kryeqyteteve. Sfidat tona janë të përbashkëta ndaj dhe së bashku di të ecim para. Rinia jonë, brezat tanë të ardhshëm dhe mbështetja ndaj tyre është sfida jonë, ndaj së bashku do të punojmë të sjellim të dy vendet sa më pranë. Bashkëpunimi ynë do të jetë edhe për integrimit dhe mbështetjen e emigrantëve shqiptarë që jetojnë këtu. Janë pjesë e jona, janë miq tanë dhe fqinjët tanë dhe ne jemi të lumtur për këtë”, tha ai.
Gjatë ceremonisë të dy kryetarët këmbyen dhurata. Veliaj i dhuroi Bakojanit kullën e sahatit të Tiranës, ndërsa Bakojanis i dhuroi një kravatë me simbolin e Athinës.